Manovrat ushtarake Rusi-Bjellorusi shqetësojnë Naton

Bota

Manovrat ushtarake Rusi-Bjellorusi shqetësojnë Naton

Më: 25 gusht 2017 Në ora: 17:47
ilustrim

Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë të jetë më transparente rreth manovrave ushtarake me Bjellorusinë. Manovrat e koduara me emrin “Zapad”, që në rusisht do të thotë “Perëndimi”, fillojnë më 14 shtator dhe kanë ngritur tensionet mes Natos dhe Rusisë.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jens Stoltenberg tha sot se aleanca do të vëzhgojë nga afër manovrat ushtarake të Moskës në Bjellorusi dhe në perëndim të Rusisë muajin e ardhshëm.

Duke folur përkrah kryeministres së Polonisë Beata Szydlo sot në Varshavë, zoti Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë të jetë transparente dhe të përmbyshë detyrimet e saj sipas marrëveshjeve ndërkombëtare.

"Të gjitha vendet kanë të drejtë të stërvisin forcat e tyre, por ato duhet të respektojnë angazhimin e tyre për transparencë. I bëj thirrje Rusisë të zbatojë detyrimet e saj sipas marrëveshjes së OSBE-së pasi transparenca është shumë e rëndësishme kur ka shtim të aktiviteteve ushtarake përgjatë kufijëve tanë”, tha sekretari Stoltenberg.

Manovrat ‘Zapad’ do të përfshijnë mijëra trupa dhe pajisje nga Rusia dhe Bjellorusia që do të dislokohen pranë kufijëve me vendet anëtare të Natos – Estoninë, Letoninë, Lituaninë dhe Poloninë.

Sipas rregullave ndërkombëtare të vendosura nga OSBE-ja, manovrat ushtarake që përfshijnë më shumë se 13 mijë trupa, duhet të vëzhgohen nga monitorues ndërkombëtar.

Por Rusia dhe Bjellorusia thanë se numri i forcave që do të marrin pjesë në manovra do të jetë më pak se kjo shifër duke kundërshtuar dërgimin e një ftese zyrtare për vëzhgimin e stërvitjeve. Zyrtarët e Natos thonë se në të kaluarën Rusia ka raportuar një numër më të ulët trupash nga ç’kanë marrë pjesë në manovra.

Zoti Stoltenberg tha se Bjellorusia ka lejuar që aleanca të ketë mundësinë e të ndjekë manovrat për pesë ditë.

Moska ka bërë ftesë vetëm për një ditë dhe NATO tha se është duke e shqyrtuar.

Zoti Stoltenberg tha sot se aleanca do të dërgojë dy ekspertë për të parë stërvitjet ushtarake, pasi Minsku ofroi ftesën. Manovrat Zapad zhvillohen zakonisht çdo katër vjet.

Stërvitjet do të jenë një shans për Rusinë të tregojë mujkujt e saj ushtarakë pranë vendeve fqinje që i janë bashkuar Natos që kur u shkëputën nga Bashkimi Sovjetik.

Aleanca dhe vendet fqinje janë të shqetësuara se Moska mund të lerë pas pajisje ushtarake në Bjellorusi kur të përfundojnë manovrat, duke rritur frikën se trupat ruse mund të lëvizin me shpejtësi përgjatë kufijëve më vonë, ashtu siç vepruan në Gjeorgji në vitin 2008 dhe në Ukrainë në vitin 2014./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat