SHBA peshon alternativat për Afganistanin

Bota

SHBA peshon alternativat për Afganistanin

Më: 19 gusht 2017 Në ora: 01:01
Afganistan

Administrata Trump ndodhet pranë një vendimi mbi një strategji të re për luftën 16-vjeçare në Afganistan, konflikti më i gjatë në historinë amerikane.

Sekretari i mbrojtjes Jim Mattis nuk ka lënë të kuptohet se cila do të jetë strategjia e re ndërsa pritet të takohet sot me presidentin Trump.

Dje për gazetarët në Uashington, zoti Mattis tha se parashikon marrjen e një vendimi mbi këtë çështje “në një të ardhme shumë të afërt".

Presidenti Trump do të takohet me nënpresidentin Mike Pence dhe ekipin e tij të sigurisë kombëtare në Camp David në Merilend.

Opsionet përfshijnë dërgimin e mijëra trupave shtesë në vendin e shkatërruar nga lufta ose tërheqjen krejtësisht të tyre, duke lënë kontraktorët ushtarakë privatë të ndihmojnë në menaxhimin e situatës së vështirë të sigurisë atje.

Pas vitesh mbështetjeje të gjerë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s, ushtria afgane ende po përpiqet t’i rezistojë talebanëve, të cilët kohët e fundit kanë bërë përparime në Afganistan dhe rajonin kufitar të Pakistanit. Gjeneralët amerikanë e kanë përshkruar konfliktin si një "rrugë pa krye".

Presidenti Trump autorizoi sekretarin Mattis të përcaktojë numrin e trupave në Afganistan, por numri i tyre vazhdon të mbetet i pandryshuar. Në Afganistan operojnë rreth 8,400 trupa amerikane dhe rreth 5,000 trupa të NATO-s, të cilët shërbejnë kryesisht për këshillim dhe trajnim./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat