Mali i Zi vazhdon t’i shesë armë Arabisë Saudite

Bota

Mali i Zi vazhdon t’i shesë armë Arabisë Saudite

Më: 25 korrik 2017 Në ora: 07:08
ilustrim

Një raport i ri i OKB-së tregon se Arabia Saudite ka mbetur një nga blerësit më të rëndësishëm të armëve të kohës së ish-Jugosllavisë nga Mali i Zi.

Sipas dokumentit mbi eksportet vjetore të armëve, të paraqitura sipas detyrimit të vendit për të raportuar në Traktatin e OKB-së për Tregtinë e Armëve, Mali i Zi i shiti Arabisë Saudite 82 objekte të sistemit të artilerisë së kalibrit të madh, kryesisht mortaja, në vitin 2016.

Ai i shiti gjithashtu 34 mortaja të një kalibri më pak se 75mm. Shitja në Arabinë Saudite ishte e vetmja pjesë e raportit – të cilin BIRN e siguroi – ku vlera e eksportit nuk është e listuar.

Sipas një baze të mëparshme të dhënash të UN Comtrade, të cilën BIRN gjithashtu e siguroi, Mali i Zi i shiti Arabisë Saudite vitin e kaluar armë dhe municione me një vlerë përj 1,040,986 dollarë amerikanë. Shuma totale e armëve të shitura ishte 132 ton.

Arabia Saudite dhe Gjermania kryesojnë listën e blerësve të armëve malazeze.

Raporti më i fundit tregon se Gjermani bleu nga Mali i Zi pistoleta dhe revolverë me një vlerë prej 9.7 milionë eurosh në vitin 2016. Ndërkohë që më shumë se 50,000 pistoleta u shitën vitin e kaluar, Berlini ishte importuesi më i madh.

Ndërkohë që Gjermania dhe Arabia Saudite importuan armë me vlerë miliona euro, blerjet e vendeve të tjera ishin më modeste.

Mbi 10,000 raketa dhe raketa hedhës, me vlerë rreth 250,000 euro, u eksportuan në Emiratet e Bashkuara Arabe, Nigeri dhe Irak.

Eksporti i armëve të lehta në raport tregon eksporte me vlerë më shumë se një milion euro në SHBA, Itali, Serbi dhe Republikën Çeke.

Të dhënat më të fundit treguan gjithashtu se eksportet e përgjithshme në Arabinë Saudite u ulën në 2016 në krahasim me vitin 2015. Mali i Zi i shiti sauditëve këtë vit armë me një vlerë më të madhe se 4 milionë dollarë amerikanë.

Midis gushtit 2015 dhe majit 2016, Mali i Zi i shiti Arabisë Saudite 32 ton armë kundra tank dhe 250 ton municione, përfshirë predha mortaje dhe plumba për armë kundërajrore.

Në atë ngarkesë përfshiheshin 10,000 raketahedhëse kundërtank  Zolja të kohës së Jugosllavisë, 56 mortaja dhe rreth 500,000 predha mortajë dhe municione të tjera.

Në muajin mars, prokurori special për krimin e organizuar filloi hetimin për eksportuesin kryesor të armëve në vend, kompaninë MDI, në lidhje me dyshimet se i ka shitur armë Arabisë Saudite që kanë përfunduar diku tjetër.

BIRN raportoi se prokuroria po kontrollonte besueshmërinë e certifikatave të përdoruesve të fundit, dokumentet që synojnë të vërtetojnë se pajisjet ose armët kanë mbërritur te blerësi i caktuar, jo në ndonjë vend apo entitet tjetër, sidomos një vend që është nën ndonjë embargo ndërkombëtare armësh.

Drejtori i MDI, Zoran Damjanoviç, mohoi të ketë pasur ndonjë shkelje në marrëveshjet e eksportit të armëve.

Ai tha se MDI do të vazhdonte të eksportonte armë në Arabinë Saudite, duke theksuar gjithashtu armët me vlerë miliarda euro të eksportuara në Mbretërinë e Gjirit nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar gjatë viteve të fundit./BIRN

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat