Trump, Macron komentojnë për klimën dhe marrëdhëniet

Bota

Trump, Macron komentojnë për klimën dhe marrëdhëniet

Më: 13 korrik 2017 Në ora: 20:14
Presidenti francez, Emmanuel Macron së bashku me presidentin e SHBA-së, Donald Trump

(E plotësuar) - Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se "diçka mund të ndodhë" në lidhje me vendimin e Uashingtonit për t'u tërhequr nga marrëveshja e Parisit për klimën.

Në komentet që bëri në Paris pas bisedimeve me homologun francez Emmanuel Macron, zoti Trump gjithashtu nuk i kushtoi rëndësi një takimi vitin e kaluar midis djalit të tij dhe një avokateje ruse.

"Në takim nuk ndodhi asgjë,” tha Presidenti Trump.

Para pak ditësh, djali i madh i Presidenti Trump, Donald Trump Jr., publikoi një email, nga i cili dilte se takimi ishte bërë për të diskutuar mbi materiale të mundshme që e dëmtonin fushatën e kandidates demokrate Hillary Clinton.

Rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 dhe pohimeve se fushata e zotit Trump ka bashkëpunuar me interesat ruse, janë duke u zhvilluar disa hetime.

Lidhur me ndryshimet klimatike, Presidenti francez, Macron, pranoi se dy palët nuk pajtohen në këtë çështje, por "respektojnë" vendimin e zotit Trump për t'u tërhequr nga marrëveshja e Parisit.

Zoti Trump la të kuptohej se rihyrja e SHBA në marrëveshje është diçka që mund të ndodhë në të ardhmen. "Do të shohim se çfarë do të ndodhë", tha ai.

Me vizitën e tanishme në Francë Presidenti Trump synon të tregojë se administrata e tij mbetet e angazhuar me aleatët tradicionalë evropianë.

Ashtu si zoti Trump, edhe Presidenti Macron është i sapozgjedhur në këtë post dhe vjen në krye të vendit si një personalitet jashtë politikës.

Pak përpara se të fillonin bisedimet, Presidenti Macron tha se është "e natyrshme dhe e domosdoshme" për të patur shkëmbime me zotin Trump, motoja politike e të cilit, "Amerika e para" i ka shqetësuar disa aleatë të rëndësishëm evropianë.

NJË VIZITË E SHPEJTË

Presidenti Trump arriti në kryeqytetin francez pas një fluturimi gjatë natës nga Uashingtoni për një vizitë të shpejtë 36 orëshe, për të diskutuar me udhëheqësin francez mbi zgjidhjet e mundshme të krizës në Siri dhe mbi strategjitë më të gjera kundër terrorizmit.

Presidenti dhe zonja e parë Melania Trump u përshëndetën nga zoti Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte, në Les Invalides, vendvarrimi i Napoleonit.

Presidenti amerikan do të marrë pjesë të premten në festimet e Ditës së Bastijës dhe në ceremonitë me rastin e 100 vjetorit të hyrjes së SHBA në Luftën e Parë Botërore.

Në festimet me rastin e Ditës së Bastijës, trupat amerikane do të marshojnë së bashku me ato franceze në bulevardin e famshëm Champs Élysées. Të enjten, një ditë para festimeve, presidenti amerikan u takua me homologun francez për të gjetur një gjuhë të përbashkët për çështje si Siria dhe lufta kundër terrorizmit.

Në takimin e tyre në muajin maj, tërhoqi vemendjen shtrëngimi i duarve mes tyre, që u përhap me shpejtësi virale në mediat sociale – një udhëheqës i ri francez, i cili jepte mesazhin se Franca do t’i rezistonte Presidentit Trump dhe politikës së tij “Amerika e Para”.

Veç klimës, një tjetër çështje delikate është marrëdhënia e zotit Trump me Presidentin rus Vladimir Putin, që u shfaq të premten, në punimet e G-20-ës. Franca, sikurse edhe pjesa tjetër e Europës Perëndimore, e ndoqi takimin Trump-Putin me nervozizëm.

“Nuk ka asgjë substanciale për t’u shqetësuar për këtë, por vetë procesi, gjuha e përdorur, mënyra se si ai është aq i gatshëm të përdorë një gjuhë të ashpër ndaj aleatëve dhe hezitimi për të përdorur të njëjtën gjuhë ndaj Rusisë, i bën njerëzit të mendojnë, nëse do të ketë në muajt e ardhshëm një nismë amerikane për Sirinë, Rusinë, apo Ukrainën; ose nëse është rënë dakord me Kremlinin para se të diskutohet me Parisin, Berlinin apo edhe me Londrën...”- thotë analisti britanik Malcolm Chalmers.

Ky është udhëtimi i tretë përtej Oqeanit dhe në Evropë i zotit Trump, që kur ai filloi mandatin e Presidentit në janar të këtij viti.

Trump dhe Macron pajtohen për luftimin e Shtetit Islamik

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se Uashingtoni do të punojë me Francën dhe partnerët e saj në planin për periudhën e pasluftës në Siri dhe Irak, për të forcuar fitoren kundër militantëve të Shtetit Islamik në qytetin e Mosulit.

Duke folur në një konferencë për media së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron, Trump ka thënë se ai dhe Macron janë pajtuar për të bashkëpunuar ngushtë në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit gjashtë vjeçar në Siri.

Ai ka thënë se Uashingtoni dhe Parisi do të punojnë së bashku për të luftuar militantët e Shtetit Islamik, të cilët ai i ka quajtur “armiqtë e njërëzimit”.

“Ne jemi pajtuar për të vazhduar punën së bashku, për kijimin e një plani për periudhën e pasluftës”, në Irak dhe Siri, ka thënë Macron.

Trump dhe Macron janë pyetur edhe për vendimin e Shtëpisë së Bardhë për të larguar SHBA-në nga Marrëveshja për Klimën.

Trump ka thënë se të dy do të diskutojnë për këtë çështje gjatë darkës, duke mos folur konkretisht për mundësinë e ndonjë marrëveshje mes dy vendeve.

“Nëse ndodh ndonjë marrëveshje, do të ishte fantastike”. Por edhe nëse nuk ndodh, jemi prapë në rregull”.

Vizita e Trumpit në Paris është e lidhur me shënim e festës më të madhe të Francës, Ditës Bastille.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat