Lavrov diskuton përmes telefonit me Tillerson për sulmin kimik në Siri

Bota

Lavrov diskuton përmes telefonit me Tillerson për sulmin kimik në Siri

Më: 21 prill 2017 Në ora: 22:57
Tillerson dhe Lavrov

Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, bisedoi të premten me telefon me homologun e tij amerikan Rex Tillerson, me ç’rast shprehu keqardhje për shkak të mos pajtimit të Uashingtonit me propozimin ruso-iranian për hetimin e sulmit me armë kimike në Siri, në fillim të prillit.

“Biseda telefonike e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson ka ndodhur me propozimin amerikan”, thuhet në kumtesën e diplomacisë ruse.

Lavrov gjatë kësaj bisede telefonike shprehu keqardhjen pasi SHBA me Organizatën për ndalimin e armëve kimike, kundërshtoi propozimin që në Siri të dërgohen inspektorë për të konfirmuar informacionet për përdorimin e gazit sarin në Khan Cheikhoun në Siri, më 4 prill.

Lavrov dhe Tillerson janë pajtuar që serish të shikojnë mundësinë e zbatimit të hetimeve objektive nën mbikëqyrjen e Organizatës për ndalimin e armëve kimike, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Po ashtu, dy zyrtarët e lartë shtetërorë janë pajtuar që sa më parë të formohet një grup punues, i cili do të kërkojë zgjidhje për heqjen e pengesave në marrëdhëniet bilaterale, të cilat janë në pikën më të ulët që nga koha e Luftës së Ftohtë, për shkak të krizës ukrainase dhe konfliktit në Siri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat