Debat i ashpër në OKB rreth sulmit amerikan në Siri

Bota

Debat i ashpër në OKB rreth sulmit amerikan në Siri

Më: 7 prill 2017 Në ora: 20:34
Ambasadorja e SHBA-së në OKB Nikki Hailey

(E plotësuar) - Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley ka thënë se Amerika është e gatshme të ndërmerr hapat e mëtejshëm për të ndërhyrë në Siri.

Ajo ka shtuar se SHBA nuk do të qëndrojë duarkryq kur të përdoren armët kimike kundër popullatës civile.

“SHBA nuk do të presin që të përdoren armët kimike nga Al-Assadi. Këto ditë kanë marrë fund”, ka thënë ajo.

Haley ka shpresuar se nuk do të jetë e nevojshme që të merren hapa të radhës për ndërhyrje në Siri, por që nëse shihet e arsyeshme Amerika do jetë në gjendje gatishmërie.

Image
Këshilli i Sigurimit mbajti një takim urgjent mbi situatën në Siri, pas sulmeve ajrore kundër bazës ajrore Shayrat në Siri të kryera nga Shtetet e Bashkuara.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork është duke u zhvilluar debat i ashpër lidhur me sulmet amerikane në Siri. Derisa përfaqësues të Britanisë së Madhe dhe Francës kanë mbështetur aksionin e ndërmarrë nga presidenti Donald Trump, pala ruse nuk ka kursyer kritika të ashpra në adresë të Uashingtonit zyrtar.

Ambasadori britanik, Methju Rajkroft, ka thënë se vendi i tij mbështet në tërësi aksionin e SHBA-ve, e cila siç u shpreh ai, është përgjigje adekuate ndaj krimit të tmerrshëm të luftës, por se tash është koha që të kalohet në procesin politik.

Edhe ambasadori francez  Fransoa Delatr përshëndeti sulmin, por shfaqi shpresën për nisjen e serishme të negociatave politike.

Rusia, aleatja kryesore e Sirisë, ka akuzuar SHBA-të për “shkelje të drejtave ndërkombëtare” për shkak të sulmit raketor në bazën siriane.

Përfaqësuesi i këtij shteti, Vladimir Safronkov tha se SHBA-të kanë sulmuar një shtet sovran dhe se kjo sipas tij paraqet shkelje flagrante e të drejtave ndërkombëtare dhe akt agresioni.

Ndryshe, sulmi amerikan ishte si kundërpërgjigje ndaj sulmit të mëhershëm të forcave të Bashar al Asadit, të cilat thuhet se kanë përdorur gaz helmues duke shkaktuar vdekjen e 86 personave, në mesin e tyre pothuajse 30 fëmijë. Analizat e gjakut tregojnë se viktimat ishin të ekspozuara sarinës, gazit të fortë neuro-toksik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat