Raketat e Trump ndajnë botën –çka pas “Tomahauk”?

Bota

Raketat e Trump ndajnë botën –çka pas “Tomahauk”?

Më: 7 prill 2017 Në ora: 13:19
Sulmi amerikan në bazën ushtarake në Siri

Sulmi amerikan në bazën ushtarake në Siri paraqet “sulmin e parë të madh të Donald Trump”, është tema qendrore në gjithë planetin dhe ngjarja e cila brenda natës ka ndarë botën.

Anijet ushtarake amerikane pas urdhrit të Trump, lansuan 59 raketa “Tomahauk” si përgjigje ndaj sulmit në Idlib, në të cilin pësuan dhjetëra civilë.

Sipas zyrtarëve amerikanë, është sulmuar baza prej nga kanë fluturuar aeroplanët, të cilët shkrepën raketa në Han Sheik dhe me këtë rast përdorën armë kimike.

Linja e madhe e ndarjes u tërhoq disa ditë më vonë, kur u konfirmua se mbi 80 njerëz, në mesin e tyre edhe fëmijë, pësuan nga sulmi në të cilin ishte përdorur gaz helmues.

Kundërshtarët e regjimit të Bashar al Asad akuzuan ushtrinë e tij për krime lufte dhe përdorimin e armëve të ndaluara kimike, ndërsa disa kanë parë mundësinë që raketat të kenë ardhur nga aeroplanët rusë. Në anën tjetër, autoritetet siriane dhe Kremlini hodhën poshtë pohimet e tilla dhe kërkuan hetime.

Po ashtu, burime ruse theksuan se ekziston mundësia që raketat të kenë goditur bocat me gaz, të cilat në vendet e goditura i kishin fshehur kryengritësit.

Masakra me gaz helmues ndaloi së qeni temë qendrore në orët e hershme të mëngjesit me kohë të Evropës Qendrore, kur Trump dha urdhrin e tij.

Reagimet nga e gjithë bota arrijnë nga minuta në minutë, ndërsa Rusia menjëherë vendosi të suspendojë marrëveshjen e nënshkruar me Uashingtonin për parandalimin e incidenteve mbi qiellin e Sirisë gjatë operacioneve ushtarake.

Siç është bërë e ditur nga Parlamenti rus, koalicioni Rusi-SHBA sa i përket krizës së Sirisë është vënë në pikëpyetje.

Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov tha se shpreson që sulmi amerikan të mos dëmtojë pakthyeshëm marrëdhëniet Moskë-Uashington, të cilat kohëve të fundit ishin në nivel të ulët.

Për dallim nga Moska, nga Ankaraja është dërguar porosia e mbështetjes për vendimin e SHBA-ve që të sulmojnë stabilimentet ushtarake në Siri.

Raportet turke-ruse viteve të fundit funksionojnë sipas parimit “nxehtë-ftohtë”, edhe pse dukej se sa i përket çështjes së Sirisë kohë më parë kanë gjetur gjuhë të përbashkët.

Shefi i diplomacisë turke, Mevlut Çavushoglu tha se është e domosdoshme që sa më parë të ndërrohet regjimi i Bashar Asadit. 

Siç pritej mbështetje ka ardhur nga Britania e Madhe, ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Francois Hollande thanë se Asad është vetë fajtor dhe se me sulmin me armë kimike ka provokuar përgjigjen e SHBA-ve.

Bashkimi Evropian është prononcuar përmes shefit të Këshillit të Evropës Donald Tusk, i cili theksoi se vendimi i Trump është indikator i vendosmërisë së Perëndimit në luftën kundër sulmeve barbare kimike.

Sinjale të ngjashme erdhën edhe nga Izraeli, i cili theksoi se kjo është një porosi e fuqishme e Trump kundër regjimit të Asadit dhe shpreson se do të dëgjojnë edhe në Teheran dhe Pjong-jang.  Reagimet kanë ardhur edhe nga Pekini, ndërsa Kina fillimisht apeloi për shmangie të përkeqësimit të mëtejmë të situatës, por më vonë dënoi përdorimin e armëve kimike.

Pekini kërkoi edhe hetime të pavarura lidhur me sulmin në Idlib.  Nga ana e saj Japonia nuk ka dilema se kush përdor armë të ndaluara kimike, andaj kryeministri Shinzo Abe tha se qeveria japoneze mbështet vendosmërinë e Qeverisë amerikane se asnjëherë nuk do të tolerojë përhapjen dhe përdorimin e armëve kimike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat