OKB: Gjendja më e keqe humanitare prej vitit 1945

Bota

OKB: Gjendja më e keqe humanitare prej vitit 1945

Më: 11 mars 2017 Në ora: 11:05
Pamje nga një seancë e mëparshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

Bota ballafaqohet me krizën më të keqe humanitare prej vitit 1945, derisa më tepër se 20 milionë njerëz nga katër vende, vuajnë nga uria dhe rrjedhimisht edhe nga vdekja e shkaktuar nga kjo gjendje, ka thënë mbrëmë shefi për çështje humanitare në Kombet e Bashkuara, Stephen O’Brien.

“Pa përpjekje të përbashkëta globale dhe të koordinuara, njerëzit thjeshtë do të vdesin” dhe “shumë më tepër do të vuajnë dhe vdesin nga sëmundjet”, tha Stephen O’Brien, në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ai ka kërkuar një mdihmë urgjente prej 4.4 miliardë dollarësh deri në muajin korrik, për Jemenin, Sudanin Jugor, Somalinë dhe pjesën verilindore të Nigerisë. Po ashtu, ai ka thënë se duhet të ketë qasje të papenguar për ndihmë humanitare për “ta evituar katastrofën”.

Pa këtë ndihmë madhore, zoti O’Brien tha se fëmijët do të vuajnë nga mungesa e ushqimit dhe nuk do të jenë në gjendje të shkojnë në shkollë, të përfitojnë nga zhvillimi ekonomik dhe “do të humbet shpresa”.

“Ne ballafaqohemi me krizën më të madhe humanitare prej se është krijuar Organizata e Kombeve të Bashkuara”, në vitin 1945, tha Stephen O’Brien, ndërsa gjendja më alarmante është në Jemen, ku dy të tretat e popullatës kanë nevojë për ndihmë dhe më se 7 milionë njerëz vuajnë nga uria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat