Viti 2016: Bota me zë

Bota

Viti 2016: Bota me zë

Më: 31 dhjetor 2016 Në ora: 15:21
Përpjekje për grusht-shtet ushtarak në Turqi, 15 korrik 2016.

Më 17 janar, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, i është drejtuar Parlamentit në Teheran, në lidhje me bisedimet për çështje bërthamore me fuqitë botërore, të cilat kanë rezultuar me heqjen e sanksioneve kundër Republikës Islamike.

“Të realizuara dhe të kompletuara me udhëzimet e Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, të mbështetura nga kombi dhe të ndihmuara nga të gjitha institucionet e rëndësishme të shtetit, bisedimet janë vërtet një nga faqet e arta të historisë së vendit”, ka thënë Rohani.

Në muajin prill kanë shpërthyer luftime të ashpra midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, në rajonin e kontestueshëm të Nagorno Karabakut.

“Këto janë luftimet më të mëdha që Azerbajxhani ka bërë përpjekje t’i nisë që nga rivendosja e armëpushimit më 1994”, ka thënë presidenti armen, Serzh Sarkisian.

“Jemi duke luftuar në territorin tonë. Nëse një ushtar armen nuk dëshiron të vdesë, le të ikë nga territori i Azerbajxhanit”, ka thënë presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev.

Gazetarja azerbajxhanase e Radios Evropa e Lirë, Khadija Imayilova, është liruar nga burgu në Baku më 25 maj.

“Arrestimi im është bërë vetëm për arsye politike, sepse presidenti Aliyev dhe klika e tij kanë vendosur të heqin qafe çdo kritik. Pra, ka qenë pjesë e veprimeve shtypëse kundër aktivistëve të të drejtave të njeriut, gazetarëve dhe udhëheqësve të OJQ-ve”, ka thënë Ismayilova.

Në qershor, kryeministri britanik, David Cameron, ka shpallur dorëheqjen, për shkak të rezultatit të referendumit, në të cilin shumica e britanikëve kanë votuar për dalje nga Bashkimi Evropian.

“Populli britanik ka marrë vendim të qartë, duke zgjedhur një rrugë ndryshe. Andaj, unë mendoj se vendit i duhet një udhëheqje e re në këtë drejtim”, ka thënë Cameron.

Në korrik, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shpallur nënshkrimin e një deklarate për bashkëpunim më të afërt midis aleancës ushtarake dhe Bashkimit Evropian.

“Kemi qëndrim të përbashkët ndaj Rusisë: BE-ja ka ndërmarrë sanksione ekonomike; NATO ka forcuar mbrojtjen kolektive - më së shumti që nga Lufta e Ftohtë”, ka thënë Stoltenberg.

Në Turqi, më 15 korrik, ka pasur përpjekje për grusht-shtet ushtarak.

“Bëhet fjalë për një pakicë brenda ushtrisë turke. Në Turqi ka parti në pushtet, që është zgjedhur nga vota e popullit. Ka edhe president të zgjedhur nga populli dhe ne jemi në detyrë. Me dëshirën e Zotit, do ta përmbushim këtë detyrë deri në fund. Nuk do t’ua lëmë kurrë vendin këtyre hajdutëve”, ka thënë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Në gusht, presidenti i Kolumbisë, Manuel Santos, ka bërë të ditur se pas tre vjetësh negociata, administrata e tij ka nënshkruar marrëveshjen përfundimtare për paqe me Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), duke i dhënë fund luftës guerile 50-vjeçare – njërit nga konfliktet më të gjata në botë.

“Sot, mund të themi përfundimisht se është rënë dakord për çdo gjë. Falë përpjekjeve të mëdha të delegacioneve negociatore, është rënë dakord edhe për çështjet që kanë qenë në pritje”, ka thënë Santos.

Republikani Donald Trump ka fituar zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara më 8 nëntor, kundrejt kandidates demokrate, Hillary Clinton.

“Sapo kam pranuar një telefonatë nga sekretarja Clinton. Ajo na ka ururar për fitoren dhe unë e kam uruar atë dhe familjen e saj për fushatën e fuqishme”, ka thënë Trump.

Udhëheqësi revolucionar i Kubës, Fidel Castro, ka vdekur në nëntor. Lajmi është bërë i ditur nga vëllai i tij, presidenti Raul Castro.

“I dashur popull kuban, me trishtim të thellë duhet të ndaj lajmin me ju, me miqtë tanë nga Amerika jonë dhe bota, se sot, më 25 nëntor, në orën 10:29, komandanti dhe shefi i Revolucionit Kuban, Fidel Castro, ka vdekur”, ka bërë të ditur Raul Castro.

Në muajin dhjetor, ambasadori rus në Ankara, Andrei Karlov, është vrarë nga një polic turk, i cili ka thirrur slogane xhihadiste.

“Kjo është një ditë tragjike në historinë e diplomacisë ruse: gjatë një ngjarjeje publike në Ankara, ambasadori rus në Turqi, Andrei Gennadiyevich Karlov, ka marrë plagë që kanë shkaktuar vdekjen e tij. Ne e klasifikojmë këtë incident si akt terrorist”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse, Maria Zakharova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat