Luftanijet ruse tërheqin kërkesën për t’u furnizuar në Spanjë

Bota

Luftanijet ruse tërheqin kërkesën për t’u furnizuar në Spanjë

Më: 26 tetor 2016 Në ora: 20:39
Ilustrim

Rusia ka tërhequr kërkesën drejtuar autoriteteve të Spanjës, për mbushjen me karburant në portin spanjoll të Seutës të 3 anijeve luftarake, pas shqetësimeve të shprehura nga NATO.

Ministria e Jashtme spanjolle deklaron se, ndalesat e anijeve janë anuluar. Spanja ishte ndodhur nën presionin e aleatëve të NATO-s për të mos lejuar furnizimin e luftanijeve ruse që udhëtojnë për në Siri. Një grup anijesh kanë lunduar gjatë javës së kaluar nga Rusia deri në Mesdhe. 

“Duke konsideruar informacionet për mundësinë se këto anije mund të marrin pjesë në aksionet luftarake në qytetin sirian të Alepos, Ministria e Punëve të Jashtme kërkoi sqarime nga Ambasada e Federatës Ruse në Madrid”, thuhet në një deklaratë të ministrisë për BBC. 

Në të njëjtën përgjigje thuhet se, në shtator anijeve ruse u ishte dhënë leje për t’u ankoruar në Seuta në datat 28 tetor dhe 2 nëntor. 

“Ndalesa të tilla për anijet ruse janë lejuar për vite me radhë, por pas kërkesës për sqarim, ambasada ruse në Madrid deklaroi se e tërhiqte kërkesën e saj për rimbushje me karburant”, vijon përgjigjia e Ministrisë së Jashtme spanjolle. 

Nga ana e saj, ambasada ruse ka konfirmuar tërheqjen e kërkesës, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat