Belgjikë: Thirret ambasadori rus lidhur me pretendimet për sulm në Siri

Bota

Belgjikë: Thirret ambasadori rus lidhur me pretendimet për sulm në Siri

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 08:28
Ilustrim

Ministria e jashtme e Belgjikës thotë se e ka thirrë ambasadorin rus në Bruksel, pasi Moska ka pretenduar se aeroplanët luftarakë të Belgjikës i kanë vrarë civilët gjatë një sulmi ajror në Siri.

Ministri i jashtëm i Belgjikës, Didier Reynders, ka përsëritur edhe sot se vendi i tij nuk ka përgjegjësi për sulm.

Më herët, Ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se nga sulmi i djeshëm në fshatin Hassajek në provincën Alepo, janë vrarë 6 civilë dhe janë plagosur katër vetë.

Kjo ministri tha se dy aeroplanë luftarakë të Belgjikës të tipit F-16, nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që lufton kundër militantëve të Shtetit Islamik, ishin identifikuar mbi këtë hapësirë në kohën e sulmit.

Belgjika është “e pakënaqur që ky informacion nuk ishte verifikuar para se të bëhej publik”, tha Reynders.

Zëdhënësja e Ministrisë së jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se Moska pret dënim ndërkombëtar për këtë sulm.

Dje Moska ka shpallur se forcat ajrore të Rusisë dhe Sirisë i kanë ndalur bombardimet në qytetin e rrethuar të Alepos, për hapjen e rrugës për armëpushim prej tetë orësh më 20 tetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat