385 milionë fëmijë jetojnë në varfëri të skajshme

Bota

385 milionë fëmijë jetojnë në varfëri të skajshme

Më: 4 tetor 2016 Në ora: 11:53
Ilustrim

Rreth një e pesta e fëmijëve në vendet në zhvillim jetojnë në varfëri të skajshme. Kështu tregon raporti i fundit i publikuar nga Banka Botërore dhe UNICEF-i, që quhet "Ending Extreme Poverty: A Focus on Children”.

Në raport thuhet se rreth 385 milionë fëmijë në rrafsh global jetojnë në varfëri të skajshme.

“Fëmijët janë kategoria më e prekur nga efekti i varfërisë. Ata janë nga më të varfrit në botë, ndërsa fëmijët e moshës më të re janë më të prekurit sepse të ndaluarit nga gjërat elementare ndikon në zhvillimin e tyre trupor dhe mental”, thuhet në deklaratën e drejtorit ekzekutiv të UNICEF-it, Anthony Lake.

Numri më i madh i fëmijëve të cilët jetojnë në varfëri të skajshme gjenden në Afrikën sub-sahariane, mbi 50 përqind, ndërkohë që 36 përqind jetojnë në Azinë Jugore dhe mbi 30 përqind në Indi.

UNICEF-i dhe Banka Botërore u kanë bërë thirrje qeverive, që në planet e tyre kombëtare për reduktimin e varfërisë, të përqendrohen tek fëmijët, si dhe të forcojnë programet që ndihmojnë fëmijët e varfër.

Vlerësimi botëror për fëmijët të cilët jetojnë në varfëri të skajshme është e bazuar në të dhëna nga 89 shtete të cilat përbëjnë 83 përqindëshin e popullsisë së vendeve në zhvillim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat