OKB, mbahet samiti i parë mbi refugjatët: Koordinim dhe përgjigje më humane

Bota

OKB, mbahet samiti i parë mbi refugjatët: Koordinim dhe përgjigje më humane

Më: 19 shtator 2016 Në ora: 16:00
Ilustrim

Në kohën kur gjithnjë e më shumë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që prej Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit dhe ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara pritet të miratojnë një dokument këtë të hënë, që synon të ofrojë një përgjigje më të koordinuar dhe më humane ndaj krizës në fjalë.

Çështja, se çfarë do të bëhet në lidhje me 65.3 milionë personat e zhvendosur në mbarë botën, do të ketë fokusin kryesor të Asamblesë së Përgjithshme me udhëheqësit e 193 shteteve anëtare të OKB-së, të mbledhur në Nju Jork për samitin e parë historik mbi “Adresimin e lëvizjes masive të refugjatëve dhe emigrantëve”.

“Nëse do të mundemi ta përkthejmë letrën në një përgjigje, ku do të marrin pjesë një sërë aktorësh, atëherë ne do të zgjidhim shumë probleme të reagimit emergjent dhe të situatave afatgjata të refugjatëve, siç është për shembull edhe çështja e refugjatëve sirianë”, tha Filipo Grandi, Komisioner i lartë i OKB-së për Refugjatët.

Marrëveshja synon të standardizojë përgjigjet ndaj situatave të refugjatëve dhe të ofrojë një edukim e punësim më të mirë ndaj tyre. Ajo inkurajon gjithashtu strehimin dhe përfshin planet për një fushatë që do të luftojë ksenofobinë.

Kjo, gjithsesi mund të rezultojë në një betejë të vështirë me të përpjetat e veta, pasi dokumenti në fjalë nuk është i detyrueshëm nga ana ligjore, ndërsa vjen në një kohë kur refugjatët dhe emigrantët janë bërë një çështje përçarëse në Europë dhe Shtetet e Bashkuara.

Një sërë vendesh kanë refuzuar më herët një draft të marrëveshjes, që u bënte thirrje kombeve të strehonin 10 për qind të refugjatëve çdo vit, gjë që ka nxitur disa grupe të të drejtave të njeriut të kritikojnë dokumentin si një mundësi të humbur. Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera kundërshtuan gjithashtu gjuhën e draftit origjinal, ku thuhej se fëmijët nuk duhen burgosur kurrë, ndërsa tashmë marrëveshja thotë se fëmijët rrallë duhen burgosur, për të mos thënë kurrë.

“Në vend që të ndajnë përgjegjësinë, udhëheqësit botërorë po i shmangen asaj. Samiti i OKB-së është sabotuar nga disa shtete që po veprojnë sipas interesave të tyre, duke lënë miliona refugjatë në situatë tepër të vështirë anembanë botës, madje edhe në buzë gremine”, tha Sekretari i Përgjithshëm i “Amnesty International”, Salil Shetty.

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, raporti i të cilit mbi refugjatët dhe emigrantët përbën edhe bazën për dokumentin e samitit, tha se është i ndërgjegjshëm për kritikat nga grupet joqeveritare.

“E ndërsa të gjithë ne dëshirojmë që ai të jetë një dokument frytdhënës, të 193 shtetet anëtare duhet të bien dakord për angazhimet e tyre. Siç edhe do ta shihni, raporti im ka qenë tepër i qartë në këtë aspekt”, tha Ban Ki-moon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat