Kolumbi: komandantët rebelë urdhërojnë armëpushim të përhershëm

Bota

Kolumbi: komandantët rebelë urdhërojnë armëpushim të përhershëm

Më: 29 gusht 2016 Në ora: 17:29
ilustrim

Komandantët e Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, ose FARC-ut, kanë urdhëruar një armëpushim përfundimtar, si pjesë e një marrëveshjeje të përhershme paqeje me qeverinë – e cila i jep fundin një prej konflikteve më të gjata në botë.

Komandatët rebelë të FARC-ut në Kolumbi urdhëruar një armëpushim përfundimtar që fillon sot.

“Ushtarëve, marinsave, pilotëve të forcave ajrore, policisë dhe forcave të sigurisë dhe organizatave të zbulimit të shtetit, ne duam të demonstrojmë synimin tonë të qartë për pajtim. Rivalitetet dhe urrejtja duhet t’i lihen të kaluarës. Sot, më shumë se kurrë, na vjen keq për vdekjet dhe dhimbjen e shkaktuar nga lufta. Sot, më shumë se kurrë, ne duam të përqafojmë njëri-tjetrin si bashkatdhetarë dhe të fillojmë të punojmë së bashku për një Kolumbi të re. Lufta ka përfunduar. Tani do të jetojmë së bashku si vëllezër dhe motra,” tha Rodrigeo Londono, udhëheqësi i FARC-ut.

Marrëveshja e paqes u arrit javën e kaluar, pas katër vjetë negociatash në Havanë të Kubës, duke i dhënë fund 52 viteve konflikt mes qeverisë dhe rebelëve marksistë. Më shumë se 220 mijë njerëz janë vrarë dhe mbi 5 milionë të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Si pjesë e marrëveshjes, rebelët duhet të dorëzojnë armët brenda gjashtë muajve, në këmbim për të marrë pjesë në procesin politik ligjor. Dhjetë vende në Kongresin kolumbian – pesë në Senat dhe pesë në Dhomën e Përfaqësuesve – do të mbahen në dispozicion për delegatët e FARC-ut.

Presidenti Juan Manuel Santos, tha se ushtria do të ulë armët kundër rebelëve duke filluar të hënën.

Fati i marrëveshjes së paqes pastaj do të jetë në duart e votuesve. Marrëveshja e qeverisë me FARC-un duhet të miratohet në një referendum të planifikuar për datën 2 tetor.

Komandantët e lartë të FARC-ut kanë në plan të takohen për herë të fundit në shtator për të miratuar marrëveshjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat