Turqia godet pozicionet e kurdëve në veri të Sirisë

Bota

Turqia godet pozicionet e kurdëve në veri të Sirisë

Më: 27 gusht 2016 Në ora: 13:26
ilustrim

Avionët luftarakë turq kanë goditur pozicionet e forcave kurde të cilat mbështeten nga SHBA-të, në veri të Sirisë.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, grup monitorues me bazë në Londër, ka thënë se sulmet ajrore turke kanë goditur fshatin al-Amarna, i cili ditë më parë është marrë nën konroll nga Forcat Demokratike Siriane, një aleancë kurde e mbështetur nga sulmet ajrore të SHBA-ve.

Në një deklaratë, të Këshillit Ushtarak të Jarablusit, thuhet se sulmi në këtë fshat ka shkaktuar viktima edhe të cilvëlve dhe e ka cilësuar si “përshkallëzim të rrezikshëm që kërcënon fatin e rajonit”.

Fshati al-Amarna është rreth tetë kilometra në jug të Jarablusit, qytet kufitar me Turqinë, i cili është marrë më 25 gusht nga rebelët sirianë të mbështetur nga Turqia.

Tanket turke dhe personeli i armatosur, ditë më parë, kanë hyrë në territorin e Sirisë, si pjesë e një operacioni për të larguar militantët e IS-it nga rajoni kufitar dhe për ndalur militantët kurdë që të marrin territor.

Turqia ka paralajmëruar Njësitë për Mbrojtjen e Popullit Kurd (YPG), që të tërhiqen nga kjo zonë. Turqia e sheh YPG-në si zgjatje të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), të cilin, Ankaraja zyrtare e konsideron organizatë terroriste.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat