Rikthim në Dibër, Shehu: Ja avantazhet dhe disavantazhet e garës

Shqipëria

Rikthim në Dibër, Shehu: Ja avantazhet dhe disavantazhet e garës

Më: 14 gusht 2016 Në ora: 15:25
Sherefedin Shehu

Kjo është e diela e fundit e Sherefedin Shehut në Tiranë. Të paktën deri më 11 shtator, kur dibranët do të vendosin për ta mbajtur ose jo deputetin demokrat si kryebashkiak të Dibrës. Surprizimi i momentit kur i kanë propozuar kandidimin ka kaluar, ndërsa tani ai po mendon vetëm për javët e fushatës në Dibër.

“Dibranëve, në radhë të parë do t’u premtoj ato mundësi që kam unë”, ka thënë Shehu.

Ish-zëvendësministri i Financave, që dikur hartonte buxhete kombëtare, tani ka ndërmend të fokusohet vetëm te buxheti i Dibrës, me një qëllim të vetëm.

“Po të ketë pak më shumë vëmendje, po të punohet pak më shumë, dibranët nuk presin që t’i ushqejë qeveria, por të krijojë kushte që ata të punojnë. Kështu që edhe unë, logon time po e riformuloj në Rikthim në Dibër”, shtoi më tej Shehu.

Me rikthimin në Dibër, ai gjen edhe një imazh të cënuar të burrave me pushtet, për shkak të kryebashkiakut të shkarkuar Shukri Xhelili. Por Sherefedin Shehu thotë se ky nuk është aspak rasti i tij.

“Nuk bëhet fjalë për ndershmëri, sepse unë tashmë jam në mbyllje të karrierës dhe e kam fituar popullaritetin tim. Publiku e njeh figurën time dhe nuk besoj se kjo vihet në dyshim”, theksoi kandidati demokrat për Dibrën.

Për qeverinë e kryeministrit Rama thotë se nuk ka mbajtur asnjë premtim në Dibër dhe këtë e sheh si avantazh në fushatë. Por, me qeverinë ai lidh edhe rrezikun e vetëm të fitores së tij.

“Kjo qeveri ka demonstruar se që përdor presionin, paratë dhe të gjitha mjetet joligjore për të fituar mandatin. Kështu që këtë e shikoj si rrezikun e vetëm të zgjedhjeve apo të fitores së kandidaturës sime”, u shpreh Sherefedin Shehu.

Një vit më parë në zgjedhje, demokratët dolën të përçarë me 3 kandidatë për Dibrën, por Sherefedin Shehu beson se situata ka ndryshuar, edhe pse dega lokale atje është ende në ristrukturim.

“E gjithë Partia Demokratike do të jetë në Dibër, kështu që nuk do të ndjehet kjo. Ky është një proces dhe, pavarësisht se mund të ketë ndonjë individ që nuk më mbështet me zemër, besoj se do të më mbështesë për hir të Partisë Demokratike për të dhënë sinjalin që PD-ja duhet të vijë në pushtet për të mirën e shqiptarëve”, përfundon intervistën për Top Channel, Sherefedin Shehu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat