Djemtë e kryetarit Bahtiri ia dorëzuan çelësat e shtëpisë së re luftëtarit Dibran Qela

Mitrovica

Djemtë e kryetarit Bahtiri ia dorëzuan çelësat e shtëpisë së re luftëtarit Dibran Qela

Më: 13 gusht 2016 Në ora: 17:23

Luftëtari i UÇK-së, nga Rashani i Mitrovicës, Dibran Qela, falë ndihmës së Valon Bahtirit dhe Sami Bahtirit, djem të kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, është bërë me shtëpi të re. Atij të shtunën ia ka dorëzua çelësat e shtëpisë së re të ndërtuar në fshatin Shupkofc, Valoni, i cili bashkë me të vëllain Samiun, jetojnë dhe punojnë në Holandë.

Shtëpia e re e ndërtuar prej materiali të fortë e të klasit të parë,  i është dorëzuar familjes Qela e kompletuar me mobile dhe pajisje të nevojshme të amvisërisë. Ndonëse Valoni, nga modestia nuk përmendi shumën e mjeteve të investuara, përfaqësuesit e kompanisë që e kanë ndërtuar shtëpinë, vlerësuan se ajo ka kushtuar diku rreth 20.000 euro. Valoni madje nuk kishte lejuar që të ftohen as mediet qendrore për të shënuar këtë ngjarje të rëndësishme.

Valoni me rastin e dorëzimit të çelësave uroj familjen e Dibranit dhe u dëshiroj gjithë të mirat në jetë. Në fjalën e tij të shkurtër tha se ndjehet vërtetë i lumtur dhe shumë i gëzuar që pati mundësinë që të ndihmoj këtë familje.

“Sot jam shumë i gëzuar që po shoh anëtarët e familjes Dibrani që po vendosen në këtë shtëpi dhe që po e lënë prapa problemin e strehimit. Dashtë Zoti e kanë jetë të gjatë, të lumtur e pa brenga”, tha ai.

I pranishëm me rastin e dorëzimit të çelësave ishte edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i cili tha po ashtu se ndjehet i lumtur që fëmijët e tij e zgjodhën problemin e strehimit të familjes Dibrani.

“Unë ju uroj familjarëve hyrjen në shtëpinë e re dhe ju dëshiroj çdo të mirë në jetë. Djemtë i inkurajoj që sa herë të kenë mundësi të ndihmojnë edhe familje të tjera në nevojë”, tha shkurt kryetari Bahtiri.

Kryefamiljari Dibran Qela, bashkëshortja, vajza dhe djali tij, ishin shumë të gëzuar për shtëpinë e re. Ai tha se në jetën e tij nuk ka pas moment më të rëndësishëm dhe të gëzueshëm se sa ky.

“Kisha nevojë shumë urgjente për shtëpi, sepse mjekët më patën  rekomanduar se vajza ime që është e sëmurë, duhet të ketë qetësi dhe kushte minimale të pranueshme për shërim, pasi që nuk është mirë për shëndetin e saj të jetoj në kushte të vështira. Kishin dëgjuar djemtë e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri dhe më thanë se do të më ndërtojnë një shtëpi të re. Ata e realizuan premtimin dhe unë nuk kam fjalë për t’i falënderuar dhe as mundësi për t’ua kthyer këtë të mirë. Por, të shpresoj se zoti do t’i shpërblej për këtë vepër humane”, tha ai.

Dibrani tha po ashtu, se edhe vet kryetari Bahtiri, nga buxheti i vet dhe ai komunale, e ka ndihmuar gjithmonë me para për sigurimin e ilaçeve dhe kontrolle mjekësore të vajzës së sëmurë.

“Meqë jetoj në kushte të vështira, me pensionin  e vetëm të veteranit të luftës dhe pensioni që marrë nuk më mjaftonte as për së afërmi, pasi që më duhej të siguroj ilaçe për vajzën e sëmurë, disa herë iu kam drejtuar kryetarit Bahtiri për ndihmë dhe ai asnjëherë nuk më ka refuzuar. Pra gjithherë e kam pas mbështetjen e tij, aq sa kanë lejuar mundësitë buxhetore të komunës, pasi ka edhe shumë njerëz të tjerë që kanë të sëmurë dhe po ashtu kanë nevojë për mbështetje”, tha ai.

Veterani i luftës Dibran Qela, përveç se deri tash jetonte në një familje 13 anëtarësh, bashkë me vëllezërit e tij, në një gjendje të rënduar ekonomiko-sociale, ka të sëmurë nga leukemia edhe vajzën shtatë vjeçare, Albinën, e cila është në trajtim të përhershëm mjekësor dhe gjendja e saj shëndetësore përkeqësohej përkeqësohet vazhdimisht.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat