Idrizi: Llapi, Feronikeli, Besa e Prishtina do të luftojnë për kreun e tabelës

Futboll

Idrizi: Llapi, Feronikeli, Besa e Prishtina do të luftojnë për kreun e tabelës

Nga: Kemajl Goca Më: 10 korrik 2016 Në ora: 17:56
Bujar Idrizi

Disa klube vetëm janë duke hulumtuar tregun që të përforcohen me futbollistë cilësor, disa kanë ngjeshur radhët e disa po dobësohen. Disa nga futbollistë kanë firmosur me ekipet që do të luajnë në edicionin e ri, disa janë ende në hamendje e disa presin ndonjë ofertë më të mirë. Mesfushori Bujar Idrizi pas tre vjetësh rikthehet në KF Llapin e Podujevës, klub që po bën përforcime të njëpasnjëshme me synime që të jetë sa më i kompletuar dhei fortë për Raiffeisen Superligën e Kosovës.  Idrizi shprehet për gazetën kombëtare “Bota sot” se arsyeja që u largua nga Trepça ’89 e Mitrovicës janë kushtet e afruara nga llapjanët. Megjithatë, ai thotë se është kthyer në shtëpinë e tij, duke premtuar se do të jap maksimumin. “Arsyet që jam kthyer Në Llap respektivisht në vendlindje, gjithsesi se janë kushtet e mira. Jam i lumtur që përsëri do të jem pjesë e Llapit të mobilizuar mirë nga ana e kryesisë dhe skuadrës në përgjithësi, si dhe kushtet e afruara janë arsyet kryesore që më shtynë të marr vendimin final”, thotë Idrizi.  Futbollisti vlerëson se me përforcime që po bënë Llapi pa dyshim se do të jetë prej skuadrave që do të ketë fjalën kryesore. Mendoj se edicioni i ri do të jetë mjaft interesant dhe fjalën kryesore do të ketë Llapi, Feronikeli, Besa dhe Prishtina, këto skuadra do të janë që do të luftojnë për kreun e tabelës”, theksoi ai. Idrizi beson se do të rritet edhe niveli i lojës në përgjithësi në ligë. Theksoi se pas pranimit në UEFA e FIFA liga do të jetë më e mirë dhe me një rivalitet më të madh në kërkim të një vendit në garat evropiane. “Normal pas pranimit të futbollit tonë në UEFA e FIFA edhe klubet janë më të vetëdijshme se çfarë i pret dhe për këtë arsye do të rritet niveli i cilësisë. Të gjitha klubet do të jenë më të mobilizuar, do të tregojnë angazhim më të madh dhe secila do të synojë të jetë më e organizuar në çdo aspekt”, tha ai. Çfarë i mungon futbollit të Kosovës? “Mendoj infrastruktura sportive më e mirë,  po ashtu edhe sponsorët dhe ligji për sponsorizim”, shprehet Idrizi. Llapi edicionin e kaluar ka treguar lojëra të mira dhe me pak fat sportiv ka mundur të jetë edhe në finalen e Kupës së Kosovës. Llapjanët synojnë të përgatiten sa më mirë për edicionin e ri që pritet të fillojë me 20 gusht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat