Vushtrria kërkon shtegdalje nga kriza

Hendboll

Vushtrria kërkon shtegdalje nga kriza

Nga: Kemajl Goca Më: 8 korrik 2016 Në ora: 19:27
Arben Karaça

Në sportet e ndryshme klubet po ballafaqohen me telashe e kriza të mëdha. Klubi i hendbollit Vushtrria në konkurrencën e  meshkujve, është në një situatë të vështirë, sepse pas përfundimit të kampionatit ka mbetur pa kryesi.  Vushtrriasit kërkojnë shtegdalje nga kriza, sepse nuk ka mbetur edhe shumë kohë që duhet filluar përgatitjet për edicionin e ri në Superligë.  Kapiteni i këtij klubit, Arben Karaça, është i shqetësuar me situatën që ndodhën aktualisht, por ka fije optimizmi se do të gjendet një zgjidhje e favorshme. “Kah fundit i sezonit që shkoi klubi mbeti pa kryesi. Mendoj që do të ketë zgjidhje për arsye se kemi fond të mjaftueshëm lojtarësh dhe vetëm presim të emërohet kryesia e re. Sepse me një kryesi e kushte të mira, dhe me potencial që kemi mund të arrijmë edhe në garat ndërkombëtare”, thotë Karaça për gazetën kombëtare “Bota sot”. Vushtrriasit e përfunduan e edicionin në vend të katërt me 31 pikë, që ishte një sukses i mirë, duke i marr në tërësi edhe vështirësitë që u ballafaquan. Çfarë i mungon Vushtrrisë? “Vushtrrisë i mungojnë vetëm kushtet financiare dhe asgjë tjetër. Të gjithë e dinë se kemi shumë lojtar që përfaqësojnë Vushtrrinë në kombëtaren e Kosovës prej U-15 e në U-18. Mjerisht mungojnë kushtet dhe kjo po dikton që mos të jemi në nivelin çfarë pretendojmë”, theksoi hendbollisti. Pivotmeni vushtrrias tha se nëse vazhdon kjo situatë ekziston mundësia edhe të shuhet ekipi. “Rreziku ekziston, për arsye se edhe në sezonin e kaluar pothuajse që e kemi mbajtur në ligë vetëm ne lojtarët, duke shkuar nëpër lojë e të mos biem nga garat e play-off-it, aty ku jemi qe sa vite”, thotë ai.  Karaça tregon se lojtarët po stërviten individualisht për të ruajtur formën derisa të fillojnë përgatitjet. “Për momentin vetëm individualisht jemi duke u përgatitur, ndërsa deri nga dalja e kësaj krize nuk do të ketë fillim përgatitjesh”, ka thënë hendbollisti. Ai e pranon se jo vetëm klubi i tij por pjesa dërrmuese e klubeve janë në krizë. “Krizë ka pothuajse në të gjitha klubet dhe mund të them përveç kampionit (Besa Famiglia) që qëndron mirë. Kriza ka bërë që edhe cilësia të bie dukshëm, por mbesim me shpresë se me kalimin e kohës do të rrisim nivelin në përgjithësi”, tha ai. Hendbollisti lutet që klubi t’i bëhet një zgjidhje e qëndrueshme. “Pretendoj që klubit t’i bëhet një zgjidhje. Iu lutem të gjithë sportdashësve që të formojnë një kryesi e cila mund ta shpëtoj klubin nga kjo gjendje”, shprehet Karaça, që është dukshëm i brengosur për fatin e klubit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat