Tajvan, shpërthim në tren, plagosen 24 persona

Azia

Tajvan, shpërthim në tren, plagosen 24 persona

Më: 8 korrik 2016 Në ora: 16:56
Pamje nga vendi i ngjarjes

Ngjarja ndodhi pak përpara mesnate dhe disa prej pasagjerëve kanë djegie të mëdha në trup. Burime policore i thanë mediave lokale se kishin gjetur një tub të shkëputur me lëndë eksplozive, i cili ngjasonte me një fishekzjarr.

Kryeministri Lin Chuan foli për një gjest “dashkeq”, por policia nuk e përjashton krejtësisht dhe mundësinë e një aksidenti.

Shefi i skuadrës së çaktivizimit të bombave, Lee Tzu-wen sqaroi për shtypin vendas se hetuesit kishin gjetur një tub të thyer metali 15 cm të gjatë, të mbushur me lëndë plasëse e të vendosur në një çantë shpine të zezë. Besohet se pikërisht ky ka qenë dhe shkaku i shpërthimit.

“Pati një shpërthim e pastaj dritat në vagon ikën. Njerëzit u tmerruan e nisën të bërtisnin me të madhe”, rrëfeu një nga pasagjerët.

Të tjerë dëshmitarë okularë pretendojnë se pak përpara ngjarjes kanë parë të hyjë në tren një burrë me një objekt drejtkëndor në duar.

Pas këtij episodi u kërkua shtimi i menjëhershëm i masave të sigurisë në stacionet e trenave dhe të metrove të ishullit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat