Bale: Ndaj Portugalisë, një rast i mirë, i papërsëritshëm

Futboll

Bale: Ndaj Portugalisë, një rast i mirë, i papërsëritshëm

Nga: Kemajl Goca Më: 5 korrik 2016 Në ora: 18:08
Gareth Bale

Uellsi si kurrë më parë është i motivuar për ta lënë shpirtin në fushë në përballje me Portugalinë. Kombëtarja e Uellsit ka rastin e mirë që të futet në histori, që për herë të parë të jetë në finalen e madhe të Kampionatit Evropian. Një kombëtare që befasoi të gjithë, sepse fillimisht askush nuk e kishte futur në regjistër se do të shkojë në mesin e katër kombëtareve më të mira, por ia doli me plotë meritë që të jetë aty. Futbollisti më i mirë i kësaj kombëtare, Gareth Bale po kalon çastet më të mira të tija me kombëtare dhe me shokë bëjnë planin si ta rrëzojnë edhe Portugalinë, në gjysmëfinalen që luhet nesër në orën 21.00 në stadiumi ‘Stade de Lyon”. Ylli i Uellsit, Bale, shpreson që në gjysmëfinale që do të luajë nesër  ndaj Portugalisë të fitojë duelin me shokun e skuadrës te Real Madridit, Cristiano Ronaldon.  Jo vetëm me kaq, Bale parashikon një finale më mes Uellsit dhe Gjermanisë. Bale është optimist për faktin se kur ia dolën ta rrëzojnë Belgjikën me rezultat 3:1, pse mos të arrijnë këtë objektiv edhe kundër Portugalisë. Sulmuesi i Uellsit, por edhe pjesa tjetër e skuadrës, e konsideron këtë gjysmëfinale si një rast të mirë dhe të papërsëritshëm në karrierën e tyre për të fituar një turne madhor siç është evropiani. “Ndeshja ndaj Portugalisë është vendimtare për ne, pasi është një shans i mirë, i papërsëritshëm. Jemi përgatitur mirë dhe shpresojmë të fitojmë. Kemi bërë një turne të shkëlqyer dhe nuk duam të ndalemi tani. Shumë njerëz nuk kanë pritur që ne të jemi sot këtu, por ne urojmë të përsëritim sukseset e Danimarkës dhe Greqisë në këtë Europian”, tha Bale, që uron që në finale e Euro 2016 të ketë Gjermaninë, që në gjysmëfinalen tjetër do të luajë ndaj Francës organizatore. “Më 11 korrik do të nis pushimet, por dua t’i nis si kampion. Do të më pëlqente një finale Uells-Gjermani, pasi aty luan Kroos, me të cilin jam shumë shok”, ka thënë Bale, i cili deri më tash ka realizuar tri gola për kombëtaren e tij dhe është më i merituari që janë në gjysmëfinalen e madhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat