Cilat kombëtare janë më afër finales së Euro 2016?

Futboll

Cilat kombëtare janë më afër finales së Euro 2016?

Nga: Kemajl Goca Më: 4 korrik 2016 Në ora: 11:26
Faruk Statovci

Uellsi është prej kombëtareve që ka befasuar për të mirë deri më tash dhe ka depërtuar në mesin e katër kombëtareve më të mira në Euro 2016. Kombëtarja e Uellsit ka në mesin e vet disa futbollistë të spikatur, si Gareth Bale, Aaron Ramsey, por edhe të tjerë, që mund ta befasojnë Portugalinë në gjysmëfinale. Veçori është se Portugalia në pesë ndeshjet e deritashme asnjëherë nuk ka fituar në kohën e rregullt, e cila ka tri barazime në grupin F, pastaj në të tetën e finales dhe në çerekfinale luajti baras në kohën e rregullt (0:0) me Kroacinë përkatësisht 1:1 me Poloninë. Përderisa Kroacinë e mundi me 1:0 pas 120 minutave, Poloninë e mposhti pas penalltive. Ndërkaq, Gjermania me penallti ia doli ta eliminoi Italinë mjaft të papërshtatshme. Ish-futbollisti i mirënjohur, Faruk Statovci, shprehet për gazetën kombëtare “Bota sot” se Portugalia në gjysmëfinale ka shkuar më shumë si meritë e dështimit të kombëtareve tjera. “Unë mendoj se Portugalia ka ardhur deri këtu, pasi që përfaqësueset tjera kanë dështuar. Portugalia me asnjë fitore në kohë të rregullt është në gjysmëfinale”, thotë Statovci, i cili e quan me fat edhe Uellsin që ka arritur deri në gjysmëfinale. “Uellsi? Me fat edhe atë fat të madh. Ndoshta është befasia e këtij kampionati së bashku me Islandën. Megjithatë, me lojërat e treguara vërtet është përfaqësua fortë”, theksoi ai. Statovci mendon se deri më tash Gjermania ka treguar lojërat më të mira dhe me plotë meritë është në mesin e katër kombëtareve më të mira. “Gjermania është e vetmja përfaqësuese që me ka bindë prej fillimit. Unë edhe më herët kam thënë që Gjermania është favoriti kryesor”, tha Statovci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat