Prishtina me trajner e drejtor sportiv të ri

Futboll

Prishtina me trajner e drejtor sportiv të ri

Nga: Kemajl Goca Më: 3 korrik 2016 Në ora: 15:09

Klubi më i trofeshëm në vend, Prishtina, ka emëruar trajner të ri Kushtrim Munishin, ish-futbollistin e mirënjohur dhe që ka dhënë shumë për bardhekaltrit, ndërsa drejtor sportiv do të jetë gjermani Lutz Lindemann . “Drejtor sportiv, është emëruar gjermani 66-vjeçar, Lutz Lindemann. Ish-reprezentuesi i Gjermanisë lindore me 21 paraqitje nga viti 1977 deri 1980”, thuhet nga FC Prishtina. Ndërkaq. Munishi vjen në vend të Fadil Berishës që e udhëhoqi Prishtinën në pjesën e dytë të kampionatit. Synimi i Prishtinës është që të përgatiten në çdo aspekt për edicionin e ri. “I autorizuar në organizim të klubit, është emëruar Christian Hack. Hack, është djali i presidentit të FC Greuther Furth, anëtare e Bundesliga II dhe si përfaqësues i skuadrës gjermane do t’i qëndroj skuadrës së Prishtinës afër në të gjitha organizimet e saj jashtë vendit, sidomos në përkujdesjen e talenteve të reja të klubit tonë”, thuhet nga FC Prishtina. Kryetari i klubit, Remzi Ejupi, së bashku me anëtarin e bordit, Ismet Begolli, bën prezantimin e plotësimit të shtabit teknik. “Tani e tutje do të kemi drejtor sportiv, sekretar, trajnerë kondicional, të autorizuar për punë profesionale si dhe zëdhënës të klubit. Shpesh, ne anëtarët e klubit, vend e pavend kemi qenë të detyruar të merremi edhe me punët që nuk na kanë takuar, por kemi qenë të detyruar. Por, tani e tutje duhet të iu drejtoheni të gjithë atyre të cilët i kanë të ndara punët profesionale dhe ata të komunikojnë sidomos me mediet”, ka thënë Ejupi. Munishi tha se është rritur në FC Prishtina.  “Unë jam fëmijë i Prishtinës. E njoh çdo gjë brenda klubit, se si frymon klubi dhe çdo gjë tjetër brenda klubit. Por, me punë të përbashkët, me forcimin e talenteve të reja e që pastaj t’i plasojmë jashtë, për të gjitha këto jam i vetëdijshëm që më pret punë e vështirë, por unë jam i gatshëm dhe nuk kisha ardhur sikur mos të kisha besuar në këto objektiva afatgjate dhe atë afatshkurtër – të titullit të kampionit”, ka thënë mes të tjera Munishi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat