Fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve ekspozohet në Sarandë

Kultura

Fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve ekspozohet në Sarandë

Më: 17 qershor 2016 Në ora: 09:31
Galeria “Art Saranda”

Një ekspozitë me vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve udhëtoi në kushte sigurie drejt Sarandës për t’u ekspozuar për publikun në Galerinë “Art Saranda”.

 

Ardhja për herë të parë e një ekspozite të tillë, me 42 punë të përzgjedhura nga 30 artistë shqiptarë të penelit të shek. 20, u mundësua nga bashkëpunimi mes GKA dhe Bashkisë së Sarandës, nen kujdesin e veçantë të kryetares Florjana Koka. Ekspozita do të shoqërojë sezonin turistik 2016 dhe pushuesit e tij, duke qëndruar e hapur deri me 10 shtator 2016.

“Mendoj se jo vetëm unë, por të gjithë së bashku, kemi arsye për t’u ndier mirë përpara kësaj ekspozite dhe që ia dolëm ta kemi pjesë të historisë së shkurtër, por mjaft të ngjeshur të galerisë sonë “Art Saranda”, u shpreh kryetarja Florjana Koka.

“Për herë të parë 30 mjeshtër të pikturës shqiptare të shekullit të 20-të, “udhëtojnë” së bashku drejt Sarandës, duke na ardhur këtu si një ekspozitë elitare. Vështirësitë dhe të panjohurat në rrugën e realizimit të saj, ishin të mëdha. Por, me sa duket, dëshira u kthye në fuqi realizuese dhe bashkëpunuese, që rezultoi të ishte disa herë më e madhe. Duke bashkëpunuar me GKA, u bë e mundur të vijnë në Sarandë vlera autentike të krijuara nga peneli i atyre që janë vlerësuar si kolosët e pikturës shqiptare. Edhe ata që i dëgjojnë emrin për herë të parë Kol Idromenos, Vangjush Mios, Abdurrahim Buzës, Sofia Papadhimitrit apo motrave Zengo, ashtu si edhe Nexhmedin Zajmit, Sali Shijakut, Vilson Kilicës e të tjerëve, arrijnë të kuptojnë madhështinë e emrit të tyre, duke ardhur sot përpara punëve të ekspozuara”. tha drejtori GKA, Artan Shabani.

“Çdo shqiptar, që ka një eksperiencë jete, pavarësisht nga largësia apo afërsia që ka me pikturën, ka dëgjuar emrin e tyre ose ka adhuruar veprën e tyre’, u shpreh kuratori Ylli Drishti. Çelja e ekspozitës së këtij lloji në Sarandë, u quajt ngjarje e bukur artistike dhe një vlerë e shtuar në ofertën turistike të Sarandës për sezonin “Verë 2016”.

Të gjendesh përballë pikturës së mjeshtërve të penelit, që nisin me Kol Idromenon e përfundojnë me Bashkim Ahmetin, është një mundësi dhe shans, që Saranda e kësaj vere ua jep gjithë dashamirëve të artit pamor, turistëve vendas dhe të huaj, që e kanë ndarë mendjen për t’i pasur në Sarandën tonë pushimet e tyre.

“Nuk do shumë mend për ta kuptuar se midis nesh kemi një thesar vlerash”, thotë drejtori i Galerisë “Art-Saranda, Lefter Ceko. Mjafton t’ju them, u shpreh ai, se, prej daljes së ekspozitës nga GKA e deri në kalimin e çdo qyteti të ndërmjetëm në itinerarin Tiranë-Sarandë, ekspozita është shoqëruar me eskortë policie dhe këtu gjithashtu shërbimi policor është nonstop.

Ekspozita është pjesë e kalendarit të aktiviteteve të sezonit veror. Ajo ka karakterin e një historie modeste arti të pikturës shqiptare, ku është përzgjedhur dhe paraqitet krijimtaria e një grupi prej 35 piktorësh dhe një koleksion rreth 50 punimesh të gjinive të ndryshme nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 Shtator 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat