Lista e Kosovës në basketboll për Kampionatin Evropian

Basketboll

Lista e Kosovës në basketboll për Kampionatin Evropian

Nga: Kemajl Goca Më: 14 qershor 2016 Në ora: 10:34
Arben Krasniqi

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në basketboll, Arben Krasniqi sot në një konferencë për media e ka prezantuar listën e gjerë të lojtarëve, të cilët do t’i ftojë në përgatitjet për kualifikimet për Eurobasket 2017. Në këtë konferencë përzgjedhësi i Kosovës, së bashku me kryetarin e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegun e shpalosën edhe planin dhe programin e përgatitjeve deri në ndeshjen e parë kualifikuese, e cila do të luhet më 31 gusht kundër Sllovenisë si mysafire.

Erolld Belegu, kryetar i FBK-së: “Ne si federatë jemi munduar maksimalisht që në bashkëpunim me përzgjedhësin të punojmë në ndërtimin e një skuadre të denjë dhe besoj se pjesërisht e kemi arritur një gjë të tillë, edhe pse nuk ia kemi dal t’i sjellim në radhët tona edhe disa prej emrave që kemi shpresuar shumë në ta. Bëhet fjalë për Lis Shoshin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili mua personalisht më ka zhgënjyer më së shumti për mosgatishmërinë e tij për t'i mbrojtur ngjyrat e Kosovës, pastaj Erjon Kastratin dhe Gëzim Morinën, të cilët janë ftuar në listën e gjerë të Sllovenisë, pastaj Kenan Sipahiun, i cili gjithashtu është pjesë e listës së gjerë të Turqisë. Këtu hyn edhe Besnik Bekteshi, i cili është pjesë e kombëtares B të Gjermanisë. Pavarësisht mungesave të këtyre emrave, ne në listë kemi të tjerë basketbollistë të nivelit të lartë, të cilët besojmë se janë të denjë të bartin fanellën e kombëtares tonë dhe të cilët për disa vite me sukses do të kontribuojnë në ndërtimin e një kombëtare të fortë”, ka deklaruar numri 1 i FBK-së.

Në anën tjetër përzgjedhësi i Kosovës, Arben Krasniqi pasi e prezantoi listën e e gjerë të lojtarëve, të cilët do ti ftojë në përgatitjet për kualifikime për Eurobasket 2017, ai ka folur edhe për synimet që i ka me këtë skuadër: “I kam ftuar 19 basketbollistë në listën e gjerë, ku secili prej tyre do të luftojë për të siguruar një vend në 12-shen përfundimtare. Më 7 korrik në Prishtinë do t'i fillojmë përgatitjet, për të vazhduar më pas edhe me ndeshjet miqësore, ku kemi arritur që t’i aranzhojmë 11 të tilla. Mendoj se jemi në rrugë të mirë për ndërtimin e një kombëtareje të fortë. Jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë lehtë, por me mobilizimim e përgjithshëm të të gjithëve besoj se do t’ia dalim me sukses të realizojmë qëllimin tonë. Ne jemi një skuadër e re, por kjo nuk do të thotë se në parket do të hyjmë vetëm sa për të luajtur, përkundrazi ne do të bëjmë përpjekje maksimale që të tregojmë lojëra të mira, posaçërisht para shikuesve tanë këtu në Kosovë. E dimë se grupi nuk është aspak i lehtë, pasi bëjnë pjesë Sllovenia, Ukraina dhe Bullgaria, por kjo ne nuk na dëshpëron, por na motivon edhe më shumë për të treguar basketboll sa më cilësor në përballje me këto skuadra”.

Në Kombëtaren e Kosovës, në ndeshjet e kualifikimeve, do të përfshihen edhe dy lojtarë amerikanë, të natyralizuar, emrat e të cilëve do të bëhen publik pas përfundimit të procedurave të natyralizimit dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Bëhet fjalë për dy basketbollistë të kalibrit të lartë, njërin në pozitën 1 dhe 2, kurse tjetri në atë 4 dhe 5. Të dy këta lojtarë luajnë në Ligën e Spanjës, e cila është ndër më të fortat në Kontinent e më gjerë. 


Basketbollistët: 
1. Jaren Sina George Washington University 
2. Elio Sadiku Cognac France 
3. Fahri Breca Recklinhausen 
4. Leonard Mekaj Peja 
5. Dardan Berisha Prishtina 
6. Edmond Azemi Prishtina 
7. Granit Rugova Bashkimi 
8. Egzon Gjonbalaj Brooklyn College 
9. Alban Veseli Peja 
10. Yll Kaçaniku IstanbulSpor 
11. Arif Mehmetaj Daemen College 
12. Drilon Hajrizi Peja 
13. Samir Zekiqi Peja 
14. Fisnik Rugova Peja 
15. Nadi Beciri Farleigh Dickinson University 
16. Blerim Mazreku 
17. Gazmend Sinani Prishtina 
18. Urim Zenelaj Ylli 
19. Victor Ljuljdjuraj Hoverla

Përzgjedhësi Arben Krasniqi në këto përgatitje në shtabin teknik në periudha të ndryshme gjatë përgatitjeve dhe kualifikimeve do të ketë edhe përkrahjen e këtyre trajnerëve:

Tim Maloney – Baylor University

Mergin Sina – Gill St. Bernard High School

Elhad Emërllahu – Neëman University

Andin Rashica – Sigal Prishtina

 

Ndeshjet miqësore

30 dhe 31 korrik – dy ndeshje me Maqedoninë

5 dhe 6 gusht – dy ndeshje me Estoninë

10 – 17 gusht pesë ndeshje me ekipet e kolegjeve në Milano të Italisë:

Kosova – Mississipi State

Kosova – Kansas State

Kosova – Missouri

Kosova – Athletes in Action

Kosova – Cedarville

25 gusht Qipro – Kosova

25 gusht Katari – Kosova 

Kosova në këto kualifikime është pjesë e Grupit E së bashku me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë dhe do ti zhvillojë ndeshjet sipas këtij orari:

31 gusht 2016 Sllovenia – Kosova

03 shtator Kosova – Ukraina

07 shtator Bullgaria – Kosova

10 shtator Kosova – Sllovenia

13 shtator Ukraina – Kosova

17 shtator Kosova Bullgaria

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat