O sa mirë me qenë zviceran!

Opinione

O sa mirë me qenë zviceran!

Nga: Klementin Mile Më: 11 qershor 2016 Në ora: 18:06
Klementin Mile*

Këto ditë dëgjon deklarata të futbollistëve të ekipit kombëtar të Shqipërisë, të cilët shprehen se do japin 200 për qind për ta fituar ndeshjen e parë kundër Zvicrës. Ashtu qoftë! Por ama të gjithë e dimë që edhe 200 për qind mund të mos mjaftojë, jo vetëm për ta fituar, por as për të shmangur humbjen. Dhe kur te ekipi kombëtar qëndrojnë të projektuara dëshirat, shpresat dhe idealet e një populli të tërë, çështja merr një rëndësi që i kapërcen përmasat futbollistike. Si të thuash, fitorja e ekipit kombëtar do të ishte triumf i njeriut shqiptar, i cilitdo prej nesh; dhe po ashtu humbja e kombëtares do të ishte dështim i njeriut shqiptar ku bëjmë pjesë të gjithë.

Ndikimi i jashtëzakonshëm i sportit në përcaktimin e vlerës së njeriut është parë të ushtrohet fuqimisht edhe në sporte të tjera. Për shembull, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë ndërmjet superfuqive, ekzistonte një rivalitet i madh në sportin e shahut midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik. Ky rivalitet kulminoi në vitin 1972 në ndeshjen për titullin botëror ndërmjet shahistit amerikan Fisher dhe atij sovjetik Spaski. Fisher e fitoi titullin, duke i dhënë fund hegjemonisë së deriatëhershme sovjetike, prej së cilës konkludohej se njeriu sovjetik (dhe komunist) ishte më inteligjent se njeriu amerikan (dhe kapitalist).

Ndeshja e të shtunës kundër Zvicrës do ta vërë njeriun shqiptar në një test të ngjashëm. Jo vetëm inteligjencën e tij, por edhe fizikalitetin, disiplinën, psikologjinë, imagjinatën, teknikën dhe aftësinë organizative. Në të gjitha këto aspekte esenciale, a është njeriu shqiptar superior apo inferior përballë njeriut zviceran? Kjo pyetje tingëllon e ashpër dhe për shumëkënd e pavend. Por duhet kuptuar se jetojmë në një epokë ku ka zënë rrënjë ideja e meritokracisë. Pushteti i meritës është ideali për të përcaktuar fitoren dhe humbjen; jo vetëm në fushën e futbollit, por në të gjitha fushat e aktivitetit njerëzor: në ekonomi, në art, në politikë, në shkencë, në arsim. Sigurisht, edhe në epokën para meritokracisë ka pasur fitues dhe humbës, por fitorja dhe humbja mund t’iu atribuoheshin faktorëve që gjendeshin jashtë esencës së njeriut. Fituesi, për shembull, njeriu i suksesshëm në botën e parasë, mund të konsiderohej i tillë jo për shkak të ndonjë merite esenciale, por sepse kishte pasur fatin të lindte në një familje aristokratike të pasur; humbësi, për shembull dështaku në arsim, nuk shihej si i mangët në talente dhe vullnet, por si njeri që i përkiste një shtrese që nuk përkrahej nga politikat shtetërore.

Është i famshëm fjalimi i liderit të Partisë Laburiste angleze, Neil Kinok, në vitin 1987. Kinok pyet në mënyrë retorike: ‘Pse jam unë i pari Kinok në 1000 breza që kam mundur të shkoj në universitet? Pse është Glenis e para grua prej familjes së saj në 1000 breza, që ka mundur të shkojë në universitet? A është kjo ngaqë paraardhësit tanë ishin të trashë nga mendja? A mos u mungonte talenti dhe vullneti? Sigurisht që jo. Por kjo ndodhte për shkak se nuk kishte platformë ku të mbështeteshin.’ Në të njëjtën mënyrë janë parë edhe rezultatet e dobëta të kombëtares shqiptare të futbollit para vitit 1990: supozohej që njeriu shqiptar në fushën e futbollit nuk ishte më pak i vlefshëm se të tjerët, por humbjen e sillnin rrethanat e pafavorshme ekonomike, kequshqimi, pajisjet stërvitore të prapambetura dhe mungesa e përvojës ndërkombëtare që vinte prej vetizolimit të vendit.

Veçse sot nuk mund të pranohen më këto shpjegime rrethanore. Njeriut shqiptar që luan futboll nuk i mungojnë as financat, as pajisjet, as përvoja. Rënia e alibive rrethanore ka bërë që futbolli të gjykohet tërësisht nga pushteti i meritës. E kjo do të thotë që po humbe, e meriton të humbësh dhe, po fitove, e meriton të fitosh. Humbja dëshmon që njeriu është në esencën e tij, humbës dhe fitorja dëshmon esencën e fitimtarit. Sot, ata që humbasin në lojën e futbollit, sikurse ata që humbasin në lojën e tregut, nuk mund të fajësojnë askënd dhe asgjë tjetër, veç vetes. Kjo është ana e errët e meritokracisë, fatalizmi, ku fitorja përjetohet si fitore e dyfishtë dhe humbja, si humbje e dyfishtë – si faktike dhe si e domosdoshme./mapo

*Pedagog në UET

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat