?I madh e i vogël gjilanas, por edhe më gjerë, e njohin Ibrahim Shabanin, profesorin e shumë gjeneratave të hershme të shkollarëve të arsimit fillor e atij të mesëm në komunën e Gjilanit. Ibrahimi është profesor i Gjuhës amtare shqipe. Profesor i respektuar dhe me dinjitet. Ibrahim Shabani, profesor, është edhe sot i respektuar nga të gjithë. Ai hyn në radhën e intelektualëve të merituar që ka kontribuar mjaft shumë në jetën kulturore e arsimore në Gjilan me rrethinë. Personalitet që ka jetuar me kulturën, jetën arsimore dhe me disa detyra të rëndësishme kulturore e arsimore të jetës së këtij qytetit të Anamoravës. Pse jo? Ky është një nga figurat e rralla të kësaj kohe.
Profesor Ibrahim Shabani, edhe sot ka memorje të kthjelltë dhe e rrëfen të kaluarën e tij, sa krenare, aq edhe të dhimbshme. Njeriu kur bisedon me te, sikur ka përpara një njeri që di t’i rrëfejë bukur shumë “sende” të kohës së kaluar, por edhe të kohës, sot. Ai (Ibrahimi), ndonëse është në moshën e shtyrë, 84-vjeçare, flet e rrëfen si të ishte i një moshe mesatare e njeriut të sotëm. Nuk i harron të gjitha ato “ngjarje” e peripeti që i ka përjetuar gjatë shkollimit e të punës, të cilat kanë kaluar nëpër “sfida” të këtij profesori të gjuhës shqipe.
Ai (Ibrahimi) flet as më tepër e as më shumë, vetëm sa i duhet përgjigjja e bisedës. Bile, nga një herë, reagon dhe bisedën e “rregullon” aty ku e fillon. Aty e ka vlerën biseda jonë, e cila, nga një rast i rëndomtë, biseduam për shumë “sende” të jetës së tij në kulturë dhe në funksione mjaft kredibile të një kohe të perënduar që i pati. Ai ishte e mbeti një lis i pamposhtur e i papërkulur para të tjerëve që lakonin para pushtuesit shekullor. Se është kështu, do të bëjmë fjalë në vijim të këtij shënimi.
Ibrahim Shabani është i lindur, më 1932 në fshatin Përlepnicë të Gjilanit. Një datëlindje e hershme, por shumë e rëndësishme. Shkollën fillore, dy klasëshe: të tretën dhe të katërt, i kreu në vendlindje. Ndërsa, dy klasë të tjerat të fillores, të parën dhe të dytën, i kreu në Kmetoc të Gjilanit. Gjysmë maturën e ka kryer në Prizren me shokët: Ismail Kadriu, Bajram Kadriu, Hajrushin Kadriu,Vehbi Uka, Nuhi Sherifi, Kadrush i Cërnicës, Fejzullah Ukshini nga Përpelpnica e të tjerë. Kjo ishte gjenerata e fundit që e ka kryer maturën me shtatë klasë.
Profesori, Ibrahim, pa hezitim, na i rrëfeu edhe këto “ngjarje” gjatë shkollimt të tij. Ai shtoi për disa shokë gjatë shkollimit: “Pas kryerjes së kësaj gjenerate, Ismajl Kadriu, nga Zhegra, doli mësues. Unë e vëllau i tij, Bajram Kadriu, vazhduam edhe klasën e katër, që atë kohë është quajtur - gjimnazi real shqiptar. E kreva klasën e katërt, por në klasën e pestë nuk na pranuan. Na thanë se është bërë rajonizimi. Shkuam në Prishtinë. Edhe në Prishtinë, na thanë së s’ka vend për banim. U kthyem këtu në Gjilan për ta vazhduar mësimin në gjuhën serbokroate në klasën e pestë dhe të gjashtë. Me Bajram Kadriun, i ardhur nga Zhegra e Karadakut, tri vjet (e gjysmë), i kemi kryer në Prizren dhe dy këtu, bëjnë: pesë vite.
Siç dihet, atë kohë, në Gjilan, ka punuar vetëm Gjimnazi në gjuhën serbokroate. Këtu jemi pranuar në klasën e pestë dhe të gjashtën. Një vjet më vonë, në Gjimnazin e Gjilanit është hapur paralelja e parë në gjuhën shqipe. Mandej, kam kryer një kurs veror në Pejë. Me një shok, Xheladin Kamberin na quan në Normalen në Prishtinës. Atë kohë, shkollimi në shkollën Normale ka qenë katër vite. E filluam shkollën prej 1 shtatorit 1954 deri më 30 shtator 1955. Në Normale është punuar me një program të sforcuar. E kryem Normalen e asaj kohe në Prishtinë. Ishte një shkollim i nivelit të dëshiruar. Këtu (në Normale), mësim kanë dhënë këta profesorë: Abdullah Zajmi, Ibrahim Zherka (nga Gjakova), Isuf Zherka na ka dhënë pedagogji, Shukri Jakupi- logjikë, Mumxhiu – matematikë, Tajar Hatipi- metodikë etj. Sa jam në dijeni, Shukriu, bashkë me vëllaun Muminin, është shpëngulur në Turqi. Mumini kanë dhënë atë kohë matematikë në gjimnazin shqiptar të Prishtinës. Shukri Jakupi ka dhënë logjikë edhe në paralelet serbe. Për te shtonin se, ai në orë mësimore në paralelet serbe ka përdorur shembuj apo fjalë të ndryshme që i ka marrë prej Naim Frashërit apo shkrimtarëve të tjerëve. Mu për këtë, ai edhe ka pësuar”.
Ibrahim Shabani, profesor, ka shtuar edhe kohën e studimeve të tij: “Pas kryerjes së shkollës Normale, vazhdova studimet në Beograd. Këtu, në Beograd, mësim më ka dhënë Profesori Idriz Ajeti, Anton Çetta etj. Por, dihet, lëndët tjera kanë qenë në gjuhën serbokrate. Bie fjala, lëndën “Teoria e letërsisë”, e ka ligjëruar një profesor serb. Këtu studimet kanë qenë katër vjet, por unë i kam bërë shtatë e më tepër.
Ato vite, mua, para kohe më bënë drejtor në vitin 1956. Të shtojmë edhe këtë se, në këtë kohë të hershme e me përcjellje, nga puna i kanë përjashtuar këta intelektualë: Halit Llozanën, Sinan Gashin të Kosaçës, Hysen Matoshin të Matoshve dhe Nazmi Sahitin, i cili ka qenë emigrant në atë kohë. Kjo më ka penguar ta kryej fakultetin e nisur. Atë kohë më thanë të bëhem drejtor. Isha i diplomuar me Normale. Unë pak reagova dhe u ankova se doja t’i vazhdoja studimet e filluara. Por, ata më thanë se kjo punë është përkohësisht. Më mashtruan dhe punova tri vjet me radhë!
Atë kohë, punësimi ka qenë me “dekret” e jo si tash. Transeferimi në punë është bërë nga ata kur kanë dashur, e jo ku të duash t’i të punosh. Mezi vitin e katër më liruan dhe shkova të punoj në shkollën e Përlepnicës. I harrova studimet. Tri vjet nuk kam pasur kohë të shkoj në Beograd për t’i përcjellur e dhwnw provimet. Pra, asnjë provim nuk kam mundur ta japi. Kreva punë të drejtorit, por nuk ia fali vetës se si munda ta duroj vetën afro katër vjet pa i vazhduar studimet në gjuhë e letërsi shqipe në Beograd, rrëfen I. Shabani, profesor në pension.
“Pas kësaj kohe, përsëri më quan me “dektret” të punoj në Shkollën fillore në Zhegër. Këtu isha i angazhuar që të shkoj shtëpi për shtëpi për t’i bidur prindërit për t’i vijuar fëmijët e tyre shkollimin fillor. Këto punë i kam bërë nëpër fshatrat e kësaj ane të Karadakut, si në: Terziaj, Haxhaj, Selishtë, Nasalë, Lladovë, Goden, ndërsa Llashtica, në këtë vite, ajo ishte herë me Pasjan e herë me Zhegër. Në çdo gjysmëvjetor isha i obliguar të bëj raport me shkrim se si është gjendja edhe ate në prezencën e komunarëve dhe prindërve.
Pasi diplomova, fillova të punoj në Shkollën Normale “Skënderbeu” në Gjilan, më 1963. Ishte një kohë e hershme, por me përkushtim si nga ana e shkollarëve, por edhe nga ana e personelit mësimor. Më kujtohen nxënësit e kësaj kohe, si: Ibrahim Kadriun e kam pasur nxënës nga klasa e parë e gjer në klasën e katër fillore në Zhegër. Po nxënës i kam pasur edhe Bektesh Bekteshin, Hamdi Arifin e shumtë të tjerë. Po këta shkollarë i kam pasur nxënës edhe në Normale të Gjilanit. Këta janë gjenerata e parë e normalistëve të Gjilanit. Bile, në Normale i kam pasur edhe disa nxënës shumë të dalluar. Këtu, (në Normale), kam dhënë mësim gjashtë vite. Gjashtë vite , gjashtë gjenerata i kam përcjellur me sukses. Kanë qenë gjeneratat më të mira të asaj kohe.
Pas kësaj kohe, u gjenda në Bibliotekën Ndërkomunale “F. S. Noli” të Gjilanit. Këtu punova katër vjet si udhëheqës i bibliotekës së qytetit. Gabova dhe u kyqa në jetën kulturore, amotorizëm, teatër etj. Fillova t’i integroj Bibliotekën dhe Kinemanë si Qendër për Arsim e Kulturë me emrin “Mosha Pijade”. Aty kanë qenë kinemaja, univerziteti i punëtorëve, ndërsa amotorizmi ka qenë i pavarur.
Mua më zgjodhën drejtor. Kjo kohë zgjati katër vjet e gjysmë. Një grup, që punonin pranë kësaj Qendre, Kinemanë e kanë pasur si “mulli” të tyre. Pse, athua? Sepse, Kinemaja ka pasur prurje të mëdha nga buletat etj. Nuk kanë vjedhur, por kanë ndarë pagat e trembëdhjeta, për pushim de forma të tjera të pagesës. Dhe, një pjesë e të ardhurava ka shkuar për bibliotekë, amatorizëm, film etj. Edhe sot e kësaj dite, disa prej këtyre punëtorëve nuk më shohin në të mirë. E ndërpreva hajninë...
Tjetër, sa isha drejtor i kësaj Qendre Kulturore, në vitin 1972, nga Shqipëria solla në Gjilan Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve shqipe. Ta dëshmoj një rast. Në këtë Ansambël ishte ardhur edhe Ibrahim Tukiqi, këngëtar i operave dhe i këngëve popullore. Në një rast, kur me Ibrahim Tukiqin bëmë një shetitje në qytet, e pyeta se a ka familje e të tjera. Ai ma tha se i ka një vajzë dhe një djalë. Djalin e kishte pagëzuar me emrin David. E pyeta: pse David? Ai më tha se, kur kam qenë studime, Moskë apo tjetër, e kam pasur një shok të ngusht që e ka pasur emrin David. Pra, e pagëzova David në shenjë kujtimi. Ky Davidi përmendet si kompozitor në Shqipëri. Po më rrëfeu edhe këtë se djalit tjetër ia kishte lënë emrin Gent. Më erdhi mirë”, shtoi I. Shabani, profesor.
Në vitin 1979 deri në vitin 1991, Ibrahim Shabani ka punuar Entin Pedagogjik në Gjilan. Do të thotë, ai këtu punoi rrafsh 11 vjet pranë këtij Enti pedagogjik. Dhe, erdhën kohë tjetra. E, profesori Ibrahim asnjëherë i përkulur para të tjerëve, por.gjithnjë aktiv, punëtor dhe profesionist gjer në fund i punëve dhe aktiviteteve kulturore e arsimore. Por, ai pati punë me ish komitetlinjtë, të cilët i thanë që punojë gjer sa t’ia shpallin vendin e punës. Edhe këto “sfida” i kaloi, por e kaluara mbeti si e kaluar e paharruar... Ndonëse i lodhur nga padrejtësitë, ai kurrë nuk është gjunjëzuar para kundërshtarëve të asaj kohe. I tillë ishte, por i tillë mbeti: i sinqertë, fjalë pak e punë shumë, z. Ibrahim Shabani, profesor i respektuar i të gjitha kohërave. Tefik Selimi