Shteti e amniston KEDS-in nga fiskalizimi

Lajme

Shteti e amniston KEDS-in nga fiskalizimi

Më: 7 qershor 2016 Në ora: 18:32
Ilustrim

Derisa bizneset e vogla dhe të mesme detyrohen të pajisen me arka fiskale, për KEDS-in ka rregulla tjera të “lojës”.
Është shteti që e amniston duke iu referuar një udhëzimi administrativ.

Drejtori i Institutit GAP, Agron Demi ka kritikuar institucionet për mosfiskalizim e KEDS-it duke theksuar faktin se ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka kohë që ka deklaruar se së shpejti kjo çështje do të zgjidhet.
Demi në një postim në Facebook thotë në bazë të ligjit qytetarët kanë drejt të mos e paguajnë energjinë elektrike nëse iu lëshohet kupon fiskal.

Demi thotë se kjo bazohet në ligjin për TVSH-në.
“Në bazë të Ligjit për TVSh, je i liruar nga pagesa nëse biznesi nuk të ofron kupon fiskal. KEDS grumbullon me qindra miliona euro nga konsumatorët kosovarë dhe nuk lëshon kupon fiskal”.

Sipas Demit, shteti më shumë merret me disa shitore të vogla, se sa me KEDS-in që qarkullon miliona.
“Nëse se paguan, jetë pa rrymë. E shteti i bie ne qafë naj shitores së vogël për mungesë të arkës fiskale. Ka disa muaj që Ministri i Financave ka deklaruar se së shpejti ATK do dal me një qëndrim, por ende nuk ka asnjë shpjegim se përse KEDS nuk lëshon kupon fiskal”, ka thënë Demi.

Ndërsa ministri i Financave, Avdullah Hoti kishte paralajmëruar fiskalizimin e kompanisë KEDS.
Ai në një prononcim për televizionin publik kishte thënë se kjo çështje është duke u diskutuar me ekspertë dhe se shumë shpejtë do të zgjidhet.

Administrata Tatimore e Kosovës e amniston KEDS-in nga pajisja me arkë, me arsyen se ka bazë ligjore.
“Paragrafi 2 dhe 2.1 i Nenit 4 te Udhëzimi Administrativ Nr.01/2015 , “ Për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike dhe Sistemeve Fiskale “, sqaron se nuk obligohen për tu pajisur me arkë fiskale këto kategori: ndërmarrjet që ofrojnë shërbime të energjisë, shërbimet komunale, të telekomunikacionit dhe ndërmarrjet të tjera publike që kompensimi për mallrat e shitur ose shërbimet e kryera i paguajnë përmes dorëzimit të faturave të përllogaritjes së konsumit përmes instrumenteve matëse ( energji elektrike, ngrohja, uji telefoni ) ose ndonjë mënyrë tjetër e faturimit siq janë kompanitë e menaxhimit të mbeturinave”, thuhet në përgjigjen zyrtare të ATK-së për mediat vendore.

Edhe zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala thirret në udhëzimin administrativ, që i referohet ATK-ja.

“Udhezimin Administrativ 1/2015 per Arkat Fiskale, ku ne Nenin 4, paragrafin 2 parashihet qe:
2. Obligimi nga paragrafi 1 i këtij Neni nuk i obligon kategoritë si vijon: 2.1. Ndërmarrjeve që ofrojnë shërbime të energjisë, shërbime komunale, të telekomunikacionit si dhe ndërmarrjeve tjera publike që kompensimi për mallrat e shitur ose shërbimet e kryera i paguajnë përmes dorëzimit të faturave të përllogaritjes së konsumit përmes instrumenteve matëse (energjia elektrike, ngrohja, uji, telefoni) ose ndonjë mënyrë tjetër e faturimit, siç janë kompanitë e menaxhimit të mbeturinave”, thotë Buzhala.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat