Ahmetaj në Vjenë, merr pjesë në konferencën e Bankës Botërore

Shqipëria

Ahmetaj në Vjenë, merr pjesë në konferencën e Bankës Botërore

Më: 6 qershor 2016 Në ora: 13:37
Arben Ahmetaj

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj merr pjesë sot në konferencën e Bankës Botërore me temë “Plani i përbashkët i veprimit për integrimin tregtar dhe të transportit në Ballkanin Perëndimor”.

“Falënderoj Bankën Botërore që në tre vitet e fundit ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për të ndryshuar qasjen tonë, duke na kujtuar se në të shkuarën, si rajon, kemi qenë në qendër të vëmendjes për arsyet e gabuara”, deklaroi Ahmetaj.

Ai bëri të ditur se kemi hyrë në një rrugë reformash strukturore dhe rregullimi fiskal. “Është e vështirë, por e domosdoshme. Ekonomia shqiptare ka përshpejtuar ritmin e rritjes krahasuar me vitin 2013, jemi mbi mesataren e rajonit, por aspak mjaftueshëm në raport me objektivat për konvergjencë me BE-në”, tha ministri.

Sipas tij, sfida jonë është integrimi rajonal tregtar. Edhe pse nën CEFTA, secili vend është treguar shumë i zgjuar për të gjetur instrumente që kthehen në barriera të buta për njëri-tjetrin. “Këtu duhet të konsiderojmë riskun e madh të grupeve të vegjël lobuese në rajon”, u shpreh Ahmetaj.

Ministri i Financave shtoi se, “diskriminimi i produkteve shqiptare në pikat doganore me fqinjët nuk i shërben procesit të integrimit”. Konferenca i paraprin takimit të tretë të vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili këtë vit do të mbahet në datën 4 korrik në Paris.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat