Ja si shënohet Dita e Mjedisit në Prishtinë

Prishtina

Ja si shënohet Dita e Mjedisit në Prishtinë

Më: 5 qershor 2016 Në ora: 08:31
Prishtina

Organizata “Let’s Do It Kosova”, në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, sot për nder të Ditës Botërore të Mjedisit, do të organizojë disa aktivitete, të cilat do të konkretizohen me aksione pastrimi. Po ashtu, edhe Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunën e Prishtinës shënojnë këtë ditë me moton ‘Sporti dhe Ambienti’.

Aktiviteti kryesor do të zhvillohet nga ora 11:00, në parkun e Muzeut të Kosovës, afër Xhamisë së Çarshisë, ku vullnetarët e “Let’s Do It Kosova” do të realizojnë një aksion pastrimi në atë park, i cili është mbushur prapë me mbeturina, pavarësisht se është pastruar nga vullnetarët e LDIK-së më 9 Maj, për Ditë të Evropës.

Sipas një njoftimi nga kjo organizatë, përveç aksionit në kryeqytet, vullnetarët e Iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën” do të organizojnë një aksion pastrimi në Komunën e Deçanit nga ora 10:00, konkretisht afër Stacionit të Policisë në këtë komunë. Aksioni do të realizohet në bashkëpunim me kompaninë e pastrimit “Eli”, të cilët kanë ofruar makinerinë për pastrimin e asaj deponie ilegale, në të cilën gjenden përafërsisht 9 kamionë mbeturina.

“Qëllimi i kryesor i aktiviteteve për ditën e mjedisit në mbarë botën është për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim. Iniciativa “Let’s Do It Kosova”, njofton të gjithë qytetarët, se aksionet e tilla do të vazhdojnë edhe më tej, prandaj u bëjmë thirrje për mobilizim dhe pjesëmarrje. Fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën” mund ta ndihmoni duke dërguar mesazhe në operatorët Vala dhe Z-mobile, në numrin 55244”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, edhe Green Art Center Prishtina organizon aktiviteteve me karakter promovues për një mjedis të qëndrueshëm në Parkun e Gërmisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat