Zgjedhjet lokale; Sadiq Khan, kryebashkiaku i ri i Londrës

Bota

Zgjedhjet lokale; Sadiq Khan, kryebashkiaku i ri i Londrës

Më: 6 maj 2016 Në ora: 22:00

Kandidati laburist, Sadiq Khan ka fituar garën për kryebashkiak të Londrës, edhe pse numërimi i votave nuk ka përfunduar totalisht. Zgjedhësit londinezë duket se e kanë vendosur laburistin përpara rivalit të tij më të afërt, konservatorit Zac Goldsmith, ndaj të cilit udhëheq me 44,3% të votave kundrejt 34,8%.

Deri më tani janë mësuar 11 nga 14 vendet e Asamblesë së Londrës. Konservatorët kanë fituar në Croydon and Sutton, Bexley and Bromley, Havering and Redbridge, South West, si dhe West Central, ndërsa laburistët kanë fituar 8 të tilla, duke u rrëmbyer konservatorëve Merton and Wandsworth, përveç Barnet and Camden, Brent and Harrow, Enfield and Haringey, Greenwich and Lewisham, Lambeth and Southwark, City and East, si dhe Ealing and Hillingdon. Numërimi i votave në “Alexandra Palace”, “Excel” dhe “Olympia” ka përfunduar në mënyrë elektronike.

Ndërkaq, sipas redaktorit politik të BBC-së, Tim Donovan, “duket se pas skandimit dhe leximit të rreth 80% të votave, Khan udhëheq me 44% kundrejt 35% të Goldsmith”. Pjesëmarrja në këto zgjedhje lokale duken shumë më të larta sesa në vitin 2012, me një rritje prej 7% duke shkuar në 45%, shton më tej Donovan.

E teksa numërimi vazhdon, Khan është shprehur se “ndihet gjithmonë nervoz”. “Jam ndoshta njeriu më pak i vetëkënaqur që ju mund të hasni diku, megjithatë edhe mua më pëlqen moti i mirë dhe jam duke e shijuar këtë ditë të bukur me diell”, deklaroi Khan. “E kam adhuruar të gjithë fushatën që bëra, më ka pëlqyer jashtë mase të bisedoja me londinezët dhe mund të them se 24 orët e fundit kanë qenë fantastike”.

Votuesit kanë pasur mundësi të zgjedhin preferencë të parë dhe të dytë për kryebashkiak, si dhe për dy tipet e anëtarësisë së Asamblesë së Londrës, një për zonën e tyre dhe një për qytetin.

Gjithsesi, kushdo që do të bëhet kryebashkiaku i ri i kryeqytetit britanik, ai do të mbajë mandatin më të rëndësishëm personal se çdo lloj posti politik në Britaninë e Madhe. Fituesi mes Khan dhe Goldsmith do të pasojë Boris Johnsonin, i cili mposhti në zgjedhjet e kaluara Ken Livingstone. Kryebashkiaku ka kontrollin mbi katër fusha të rëndësishme në Londër: transportin, rendin, mjedisin, si dhe strehimin dhe planifikimin, ndërkohë që të gjitha veprimet e tij mbikëqyren nga Asambleja e Londrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat