Irani ndalon importin e makinave amerikane

Bota

Irani ndalon importin e makinave amerikane

Më: 5 maj 2016 Në ora: 12:51

Irani ka ndaluar importin e makinave nga Shtetet e Bashkuara për shkak të një fjalimi të udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili i ka kritikuar ato.

Edhe pse prodhuesit amerikanë janë ndaluar të shesin makina direkt në Iran, për dekada të tëra, Irani më herët ka lejuar që 24 modele të Chevrolet-it - një sektor i General Motors - të importohen përmes vendeve të tjera.

Ndalesa e re e Iranit për importet e tilla është vendosur më 1 maj, pas një fjalimi të Khameneit, më 27 prill, i cili ka pyetur se përse iranianët duhet të ngasin makina amerikane.

“Vetë amerikanët nuk i përdorin makinat e prodhuara në SHBA. Ata thonë se konsumi i karburantit është i madh dhe makinat janë të rënda”, ka thënë Khamenei.

General Motors, që ka shitur 259,557 makina në SHBA muajin e kaluar, i ka thënë agjencisë AP se nuk ka plane të hyjë në tregun iranian, edhe pse Republika Islamike është një treg i madh që kryesisht nuk është shfrytëzuar nga kompanitë perëndimore.

Në janar, shumica e shteteve perëndimore kanë hequr sanksionet ekonomike që kanë ndaluar shitjen e makinave në Iran, por Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mos hapin shumicën e lidhjeve tregtare me Teheranin.

Një zëdhënës i General Motors ka thënë se kompania do të vazhdojë t’i respektojë sanksionet e tilla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat