Akuzat për presidenten braziliane

Bota

Akuzat për presidenten braziliane

Më: 4 maj 2016 Në ora: 18:28

Shtypi brazilian njofton se prokurori i përgjithshëm i vendit i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të fillojë hetimet nën akuzat për pengim të drejtësisë ndaj presidentes Dilma Rouseff. Njoftimi nuk është konfirmuar zyrtarisht, por sipas gazetës “Globo News” presidentja akuzohet se është përpjekur të pengojë hetimet për firmën shtetërore të naftës Petrobras.

Kryeprokurori Rodrigo Janot është cituar nga shtypi të ketë kërkuar hetime jo vetëm për presidenten altuale, por edhe për paraardhësin dhe aleatin e saj, ish presidentin Luiz Inacio Lula da Silva. Hetimet thuhet se do të bazohen në përgjimet e telefonatave mes tyre. Presidentja Rouseff është aktualisht nën hetime për një çështje tjetër dhe përballet me mundësinë e fillimit të një gjykimi për ta shkarkuar nga posti. Ajo akuzohet për manipulime buxhetore në vitin 2014 për të përmirësuar shanset për t’u zgjedhur si presidente.

Presidentja Rouseff i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se fillimi i gjyqit për shkarkimin e saj do të dëmtonte stabilitetin politik të vendit. Dhoma e Ulët e parlamentit e ka miratuar fillimin e procedurave të shkarkimit, ndërsa Senati pritet të votojë në ditët e ardhshme. Shumica e thjeshtë në Seant mund ta pezullojë atë nga detyra dhe të vendosë për fillimin e gjyqit që mund të zgjasë deri në gjashtë muaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat