90 xhami në Gjermani nën vëzhgimin e shërbimit të fshehtë

Bota

90 xhami në Gjermani nën vëzhgimin e shërbimit të fshehtë

Më: 3 maj 2016 Në ora: 10:40

Sipas Presidentit të Zyrës Federale të Mbrojtjes e Kushtetutës, Hans-Georg Maaßen, fjala është kryesisht për "xhami oborresh të pasme". Ai paralajmëron që të mos barazohen të gjithë myslimanët me islamistët radikalë.

Nën vëzhgimin e shërbimeve të fshehta, sipas Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës janë rreth 90 xhami radikale në Gjermani. "Ne jemi të shqetësuar, se në Gjermani ka shumë komunitete islamiste xhamish, të cilat edhe ne duhet t'i mbajmë nën vëzhgim", tha Presidenti i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, Hans-Georg Maaßen në Kanalin e Parë Televiziv gjerman ARD. "Ne po vëzhgojmë rreth 90 komunitete xhamish në Gjermani, kryesisht të gjuhës arabe".

Nxitje për xhihad nga predikuesit e urrejtjes

Këto xhami janë "xhami-të-oborreve-të-pasme, ku imamë të vetëshpallur, emirë të vetëshpallur mbledhin rreth vetes një klientelë mbështetësish, para të cilëve mbajnë fjalimet e tyre plot urrejtje dhe ku ata nxisin për Xhihad", shpjegoi Maaßen. Shefi i Mbrojtjes së Kushtetutës paralajmëroi edhe njëherë shprehimisht, që të mos "futen hidhen në një thes ekstremistët fetarë dhe myslimanët."

Kërcënimi nga ushtria xhihadiste "Shteti Islamik" ishte të hënën (02.05) në qendër të një takimi të Mbrojtjes Kushtetuese në Berlin. "Natyrisht që ne e vëzhgojmë IS-in", tha Maaßen. "Ata që nuk vëzhgojmë ne, janë myslimanët në Gjermani". Republika Federale ka nevojë për një "koalicion kundër ekstremizmit" dhe këtu bëjnë pjesë edhe myslimanët e moderuar.

Para së gjithash janë partitë unioniste që kërkojnë një vëzhgim më të fortë të aktiviteteve ekstremiste në xhamitë gjermane. "Shteti duhet të bëjë këtu punën e tij. Ai duhet ta kontrollojë këtë fushë", i tha para pak kohësh shefi i Grupit Parlamentar të Partive Unioniste, Volker Kauder gazetës "Berliner Zeitung". Në disa xhami mbahen predikime, "të cilat nuk janë në përputhje me botëkuptimin tonë për shtetin", tha Kauder. Kryeministri i Bavarisë dhe shefi i CSU-së, Horst Seehofer e mbështeti Kauderin. "Ne duam liri fetare, që të jetë e qartë, por jo shpërdorimin e saj."

Alternativa për Gjermaninë nuk është nën vëzhgim

Përsa i përket partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), mbrojtësit e kushtetutës, edhe pas vendimeve partiake të fundjavës kundër fesë islame, nuk shohin shkas për ta vënë nën vëzhgim partinë në tërësi. "Nuk kemi situatë të re", i tha Maaßen agjencisë gjermane të lajmeve DPA. "Por po të ketë persona të veçantë, tek të cilët ne mendojmë se janë ekstremistë, natyrisht që ata i vendosim nën vëzhgim."

Partia populiste e djathtë, AfD, vendosi në kongresin e partisë në fundjavë, në programin e saj bazë, fjalinë që feja islame nuk është pjesë e Gjermanisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat