Shqetësimet e votuesve në Indiana

Bota

Shqetësimet e votuesve në Indiana

Më: 2 maj 2016 Në ora: 21:39

Në fushatën presidenciale në Indiana, një nga shqetësimet kryesore është humbja e vendeve të punës në prodhim, për të cilën shumë punonjës fajësojnë marrëveshjet tregëtare si ajo e vitit 1994 për Tregëtinë e Lirë në Amerikën e Veriut, NAFTA. Siç njofton korrespondenti Kane Farabaugh, ndërsa disa kandidatë presidencialë i kundërshtojnë marrëveshje të tilla, kjo nuk do të thotë automatikisht se do të sigurojnë mbështetjen e punëtorëve që përballen me papunësinë:

Robert James dhe Vickie Burress takohen rregullisht para një restoranti para se të fillojnë turnin e natës në fabrikën United Technologies Carrier, nga ana tjetër e rrugës.

Ata e kanë ndërtuar jetën me punën e qëndrueshme me pagë të mirë në kompleksin që ndodhet në Indianapolis.

“Përsa i takon prodhimit të kaldajave dhe artikujve të tjerë të ngjashëm, ne – Carrier - ishim të parët, prandaj nuk mendonim kurrë se kishim arsye të shqetësoheshim”, - thotë Robert James.

Një video e postuar në YouTube në fillim të vitit, tregon momentin kur menaxherët u thanë rreth 1 mijë e 400 punonjësve se fabrika do të mbyllej deri në vitin 2019, duke i zhvendosur vendet e punës në Meksikë.

“U përhap me shpejtësi dhe media në nivel kombëtar u angzhua”, thotë Chuck Jones, President i Sindikatës që përfaqëson punëtorët e Carrier.

Ai fajëson për zhvendosjen e punëve në Meksikë marrëveshjen NAFTA dhe beson se pakti tjetër i pritshëm, Partneriteti Trans Paqësor, TPP, është edhe më keq dhe do të sjellë humbje të tjera vendesh pune.

“Është një marrëveshje e tmerrshme. Është 100 herë më keq se NAFTA”. - thotë Jones.

Edhe James e kritikon NAFTA-n dhe ka votuar dy herë për Presidentin Barack Obama, me bindjen se po mbronte vendet e punës në SHBA.

Kompleksi i Carrier-it në Indianapolis është vënë tani në qendër të fushatës presidenciale dhe është një temë që kandidati Donald Trump po e përdor:

“Kur Carrier që po ikën që këtu, shkon në Meksikë dhe do që t’i shesë produktet e veta përtej kufirit të Meksikës, pa u taksuar, atëherë ne do t’i themi ‘jo!’”.

“E vlerësojmë që po e ngre zërin dhe po e përhap këtë mesazh”, thotë zoti Jones.

Është një mesazh me të cilin Robert James e identifikon veten:

“Siç tha Trump, nëse këto kompani taksoheshin, këto gjëra nuk do të ndodhnin, nëse do t’u duhej të paguanin taksa të larta për t’i sjellë prodhimet në SHBA për t’i shitur”.

Por kjo nuk do të thotë se ai do t’i japë votën zotit Trump:

“Vota ime nuk do të ndryshojë. Unë gjithmonë votoj për demokratët”.

James e kupton se nuk ka mbetur shumë për t’u bërë për të shpëtuar punën e tij dhe është më i shqetësuar për pasojat tek familja e tij:

“Kam një grua të sëmurë. Prandaj kur fabrika të mbyllet nuk do të kem as sigurime, as gjë tjetër”.

Kur të mbyllet fabrika pas disa vjetësh, James do të jetë 60 vjeç, mosha kur ai kishte shpresuar të fillonte të mendonte për pensionin. Por në fakt do t’ duhet të fillojë nga e para./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat