Sekretari Kerry dënon ashpër sulmin në Alepo

Bota

Sekretari Kerry dënon ashpër sulmin në Alepo

Më: 2 maj 2016 Në ora: 17:51

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dënoi ashpër sulmin ndaj spitalit në qytetin e Alepos në Siri, për të cilin janë akuzuar forcat qeveritare siriane. Zoti Kerry i bëri komentet në Gjenevë ku ndodhet në kuadër të një përpjekjeje të re për t’i dhënë fund luftimeve në Siri. Forcat qeveritare ka një javë që bombardojnë qytetin e Aleppos, që është nën kontrollin e rebelëve. Vetëm gjatë 10 ditëve të fundit më tepër se 250 persona janë vrarë në Siri. Përpjekjet më të fundit të paqes janë duke u minuar nga mungesa në takimin e Gjenevës e Ministrit të Jashtë rus Sergei Lavrov.

Zoti Kerry tha se është përparësi që t’i jepet fund dhunës në Aleppo. Shumica e viktimave janë civilë. Në qendër të sulmeve po ashtu kanë qenë spitalet dhe qendrat mjekësore. Javën e kaluar, një sulm vdekjeprurës me bombë në një spital të mbështetur nga Organizata Mjekët pa Kufij shkaktoi protesta. Por megjithatë, sulmet ajrore kanë vazhduar pa pushim:

"Këtu në qendër ka shumë klinika, përfshirë atë dentare, të grave, të fëmijëve dhe të sëmundjeve të brendshme. Ka edhe një farmaci. Ajo u bë objekt sulmi dhe tani është plotësisht jashtë përdorimit, deri sa ta meremetojmë,” – thotë ky banor.

Duke folur përkrah me homologun e tij jordanez të dielën, Sekretari i Shtetit John Kerry i bëri thirrje Rusisë të ndihmojë për vendosjen e qetësisë:

“Në këto orë kritike, ne kërkojmë bashkëpunimin e Rusisë, që regjimi sirian të dëgjojë Moskën dhe t’i përgjigjet deklaratës së fuqishme të komunitetit ndërkombëtar përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Zyrtarët e qeverisë së presidentit Assad thonë se ata i drejtojnë sulmet ndaj terroristëve të Frontit al-Nusra, të cilët kanë kryer sulme me raketa dhe artileri ndaj rajoneve nën kontrollin e qeverisë.

Zyrtarët amerikanë i kanë hedhur poshtë këtë thënie si të pavërteta, duke shtuar se sulmet kryesisht kanë vënë në shënjesëtr civilë të pafajshëm dhe grupe të moderuara, duke shkelur armëpushimin.

Dje Papa Françesku i bëri thirrje palëve në konflikt që t’i kthehen dialogut, si rruga e vetme drejt paqes:

"Ndjej dhimbje të thellë që marr këto lajme tragjike nga Siria, lidhur me shtimin e dhunës që vazhdon të keqësojë situatën tashmë të dëshpëruar humanitare në atë vend, veçanërisht në qytetin Aleppo, duke u marrë jetën viktimave të pafajshme, edhe fëmijë; për të pamundurit dhe ata që me sakrificë të madhe po bëjnë përpjekje t’i ndihmojnë të tjerët,”, - tha Papa.

Përpjekjet më të fundit të paqes janë duke u minuar nga mungesa në takimin e Gjenevës e Ministrit të Jashtë rus Sergei Lavrov./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat