​Telefonata që çoi urgjent në Gjenevë, John Kerry-n

Bota

​Telefonata që çoi urgjent në Gjenevë, John Kerry-n

Më: 2 maj 2016 Në ora: 12:57

(E plotësuar) - Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry shpreson që diskutimet Gjenevës të shënojnë progres gjatë këtyre ditëve me qëllim zgjatjen e armëpushimit në të gjithë Sirinë dhe rinisjen e bisedimeve të paqes për ti dhënë fund luftës në vend

“Shpresojmë të shënojmë progres. Por Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara bën thirrje për një ndërprerje të plotë të luftimeve në mbarë vendin si dhe akses të ndihmës humanitare në të gjithë territorin. Natyrisht që kjo nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh ende”, tha Kerry menjëherë pas mbërritjes në Gjenevë, duke shtuar se në këto orë kritike po punohet për një bashkëpunim me Rusinë.

Vizita e ngutshme e Kerrit në Gjenevë pasoi një telefonatë nga i dërguari i KB në Siri, Staffan de Mistura në Shtetet e Bashkuara dhe Rusi për të shpëtuar armëpushim dy-mujor në Siri, pas luftimeve të ashpra në qytetin e Aleppos.

Moska dhe Uashingtoni ndërmjetësuan marrëveshjen e armëpushimit më 27 shkurt, e cila ka hyrë në fuqi në perëndim të Sirisë, por që përjashton Shtetin Islamik dhe Al Kaedën.

Fuqitë botërore dhe Kombet e Bashkuara po përpiqen të shpëtojnë armëpushimin, duke shpresuar edhe në zgjatjen e tij. Kerry e bëri të qartë se armëpushimi ishte e nevojshme në të gjithë Sirinë teksa situata atje është alarmante.

Kerry thotë se po i afrohen një marrëveshjeje mirëkuptimi për Aleppon

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha sot se bisedimet me Rusinë dhe partnerët e koalicionit kundër Shtetit Islamik “po i afrohen një marrëveshjeje mirëkuptimi”, për ta rivendosur një armëpushim në Siri, përfshirë zonat përreth Aleppos.

“Ka pasur shumë bisedime gjatë ditës së djeshme, po ashtu edhe sot, dhe po i afrohemi një mirëkuptimi. Por, ende ka punë për të bërë, e për këtë arsye jemi këtu”, ka thënë Kerry sot në Gjenevë.

Ai i bëri këto komente në fillim të takimit me Ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, në Gjenevë.

Jubeir, nga ana tjetër, i dënoi luftimet e ashpra në dhe përreth Aleppos, dhe i cilësoi si “shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare.”

Ai fajësoi sulmet ajrore që kanë vrarë qindra njerëz gjatë javës së kaluar, nga forcat e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Rusia tha gjatë fundjavës se nuk do të kërkojë nga forcat e Assadit që t’i ndalin sulmet ajrore në Aleppo.

Moska pretendon se ato sulme kanë në shënjestër militantët e Shtetit Islamik, të cilët nuk janë të përfshirë në armëpushimin e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat