Fëmijët mësojnë për financat

Bota

Fëmijët mësojnë për financat

Më: 1 maj 2016 Në ora: 16:23

Prindërit u thonë shpesh fëmijëve se “paratë nuk gjenden në rrugë”. Që nga viti 1965, organizata “Junior Achievement”, bashkëpunon me bizneset vendase për t’u mësuar nxënësve si sigurohen të ardhurat dhe si menaxhohen ato. Një grup adoleshentësh patën mundësinë të përjetojnë për pak orë eksperiencat e prindërve të tyre, të fitojnë para dhe të marrin vendime për të kursyer apo shpenzuar.

Në një ditë jo të zakonshme shkolle, nxënësit e tetëvjeçares po shkojnë për të mësuar diçka që do t’u shërbejë gjatë gjithë jetës.

Parku Financiar i organizatës “Junior Achievement” është projektuar si qendër biznesi.

“Kur nxënësit vijnë këtu, ata argëtohen dhe ndërveprojnë,” thotë Ed Grenier, një ndër menaxhuesit e programit.

Përpara se të shkojnë nëpër dyqane, ata fillimisht informohen për rolin e të rriturit që do të luajnë.

“U ofrojmë një situatë reale, ku p.sh. marrin rolin e një 42-vjeçari të martuar dhe me tre fëmijë, që ka një volum të caktuar të ardhurash dhe nga të cilat duhen planifikuar shpenzimet e ditës.”

“Unë kam rolin e një nëne 34-vjeçare, me dy fëmijë.”

Secilit nxënës i jepet edhe një tabletë me të cilin do të planifikojë buxhetin për nevojat e gjithë familjes. Gjatë rrugës ka shumë surpriza.

“Duhet caktuar edhe çfarë paguajmë për gjëra si kujdesi shëndetësor dhe siguracioni. Nuk e dija që është kaq e vështirë, pasi nuk e kam pyetur ndonjëherë mamanë për shpenzimet që planifikon. Nuk i kam kushtuar shumë vëmendje,” thotë një nxënëse.

Nxënësit kanë përfunduar paraprakisht 14 orë studime për financat, buxhetin, bankat, kreditin dhe taksat.

“Kemi rreth 4 milionë e gjysëm nxënës në SHBA dhe rreth 10 milionë në mbarë botën që mësojnë rreth financave,” thotë Ed Grenier, një ndër menaxhuesit e programit.

Programi zhvillohet në bashkëpunim me institucionin financiar “Capital One”.

“Mendojmë se të mësuarit për financat është po aq i rëndësishëm sa shkrimi dhe këndimi. Arithmetika është ndër elementët bazë që u nevojiten nxënësve për të dalë me sukses në të ardhmen,” thotë një punonjës i bankës.

Punonjës të “Capital One” shërbejnë si instruktorë.

“Menaxhimi i faturave dhe i çeqeve është më i vështirë se ç’duket,” thotë Mohammad. Ai është i kënaqur që po i mëson këto gjëra përpara se të fillojë një punë gjatë muajve të verës.

“Mësova të mos e shpërdoroj paranë. Një mall i ri nuk do të thotë se është më i mirë.”

Është sigurisht më mirë të shpenzosh më pak se ç’fiton. Ky është mësimi që organizatorët shpresojnë se fëmijët do ta kujtojnë gjatë gjithë jetës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat