Shmangia e Luftës së re të Ftohtë me Rusinë

Bota

Shmangia e Luftës së re të Ftohtë me Rusinë

Nga: Nga James Stavridis, Foreign Policy Më: 30 prill 2016 Në ora: 12:00

Në romanin ikonë të Ian Fleming “Goldfinger”, i keqi thotë prirjen e agjentit të fshehtë James Bond për të ndërhyrë dhe për t’i prishur planet e tij: “Herën e parë është aksident. Herën e dytë është rastësi. Herën e tretë është veprim i armikut”.

Pra çfarë duhet të bëjmë kur dy manovra tepër provokative ruse u kryen gjatë javës së kaluar, ndaj anijes luftarake amerikane në gjerësi të ujërave të detit Baltik dhe ndaj një avioni në hapësirën ndërkombëtare aty pranë?

Vladimir Putin po luan me zjarrin në këtë lloj manovre hiper-agresive dhe është thuajse e sigurt se urdhrat vijnë prej tij, personalisht, duke parë mënyrën se si drejtohet Rusia sot dhe stekën e lartë të profilit të sulmeve ndaj aseteve ushtarake amerikane.

Në incidentin e parë, më 12 prill, një avion rus Su-24 fluturoi rreth 15 metra larg USS Donald Cook, me shpejtësi të lartë dhe në pozicion fare të ulët. Anija amerikane, një destrojer Arleigh Burke-class, nuk hapi zjarr por do të kishte qenë brenda rregullave nëse do të kishte përdorur raketa mbrojtëse ndaj avionit rus. Duke qenë se e kam komanduar një anije të tillë përpara disa vjetësh, unë mund të dëshmoj nivelin e përmbajtjes së treguar nga kapiteni; ai pati përballë një përpjekje të mundshme armiqësore dhe minimalisht mund ta ketë marrë në konsideratë që ta qëllojë avionin. Situata u lehtësua disi nga mungesa e dukshme e një rakete tek avioni Su-24 dhe nga mungesa e radarit rus të kontrollit të zjarrit, që të ishte duke u përdorur aktivisht për të “shënjestruar” anijen amerikane.

Incidenti i dytë ndodhi më 17 prill, dhe përfshiu një avion amerikan Boeing RC-135, që po vepronte në hapësirë ndërkombëtare. Në këtë rast, një avion rus Su-27 bëri një manovër me përdredhje mbi avionin më të avashtë dhe më pak të manovrueshëm amerikan, rreth 15 metra larg tij. Një gjë e tillë është shumë e rrezikshme (dy pilotë të frupiot tim me F-14-a u përplasën teksa e bënin një gjë të tillë në vitin 2004) dhe ngjasonte më tepër me mburrjet ajrore që u bënë të famshme nga filmi “Top Gun”. Një lloj i tillë fluturimi ishte një marrëzi në vitin 1986 (kur ne e bënim këtë, ashtu sikurse edhe rusët) dhe vazhdon të jetë marrëzi edhe sot.

Tensionet ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës janë në nivelet më të larta që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë mbi dy dekada më parë. Një gjë e tillë vjen si rezultat i mësymjes ruse në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë, që të dyja në shkelje të së drejtës ndërkombëtare, që ka sjellë sanksione të rrepta kundër Rusisë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë. Për më tepër, dy shtetet kanë mosmarrëveshje të forta, lidhur me kursin e përshtatshëm të aksionit në Siri, me Putinin që mbështet regjimin e rrënuar të sirianit të fortë Bashar al-Assad dhe me Shtetet e Bashkuara që po përpiqen që të krijojnë një koalicion më të moderuar të rebelëve sirianë për ta rrëzuar atë. Kremlini është tejet i ndjeshëm në këtë moment për shkak të rreshtimit të trupave dhe stërvitjeve të NATO-s përreth periferive të saj – pasojë direkte e veprimeve të saj agresive në Gjeorgji dhe Ukrainë. Së fundi, Rusia është e shqetësuar për sigurinë e Kaliningradit, një enklavë ruse në Detin Baltik (ku ndodhën të dyja incidentet), që është e shkëputur nga pjesa tjetër e shtetit. Moska ka kërcënuar se do të vendosë raketa balistike atje, në rast se Shtetet e Bashkuara do ta rinovojnë arsenalin e tyre bërthamor në Gjermani. Kjo centrifugë drejt një mendësie prej Lufte të Ftohtë qartësisht nuk është në interesin e askujt. Pra si ta shmangim këtë, por duke u përballur me Moskën kur normat e sjelljes e lypin?

Të mos ecim vetëm

Rregulli i parë është të veprojmë bashkërisht. Vendosja e një mendësie “shtet kundër shtetit” është kundërprodhuese për Shtetet e Bashkuara. Përgjigjet e Uashingtonit duhen dhënë brenda kontekstit të NATO-s sa më shumë të jetë e mundur, përfshi rreshtimet ushtarake në terren, në det dhe në ajër në rajon. Rusia kërkon ta kthejë këtë në një përballje me Shtetet e Bashkuara dhe të përpiqet të shkaktojë një krisje brenda aleancës. Ne duhet ta shmangim këtë dhe të vazhdojmë zhvillimet tona nën petkun e NATO-s, përfshi edhe Nismën për Sigurinë Evropiane.

Të zgjidhen betejat

Së dyti, ne duhet të përballemi me Rusinë – por vetëm atëherë kur është e domosdoshme. Në mënyrë të veçantë, duhet ta mbajmë trysninë e sanksioneve ndaj Moskës deri kur ajo t’i respektojë plotësisht marrëveshjet e armëpushimit të Minskut; ta kundërshtojmë fort vazhdimin e qëndrimit të Assadit në pushtet, dhe ta qortojmë Rusinë për shkeljet masive të të drejtave të njeriut. Por ne kemi shumë mosmarrëveshje të tjera me Rusinë lidhur me faktin se si duhet vepruar në arenën ndërkombëtare që nuk lypin përplasjen (militarizimi i Artikut, largimi nga riarmatosja, vendosja e sistemeve raketore balistike mbrojtëse, shitjet e armëve ruse Iranit, si të veprojmë në botën kibernetike etj).

Më tepër bisedime, më pak përplasje

Më në fund, në nivel taktik, duhet të tregohemi të mençur që të flasim më shpesh me Rusinë për protokollet aktuale për ndërveprimet ushtarake të forcave tona. Marrëveshja amerikano-sovjetike për parandalimin e incidenteve në dhe mbi det, e negociatat më 1972, është ende një bazë e mirë se si duhet të veprojnë anijet dhe avionët; ajo shërben si një guidë shumë specifike dhe qe një doktrinë thelbësore gjatë Luftës së Ftohtë. Rikthimi i krerëve ushtarakë amerikanë dhe rusë në një konferencë të nivelit të lartë për ta rishikuar dhe rifreskuar marrëveshjen do të ishte një hap pozitiv.

Njerëzit më pyesin shpesh a jeni kthyer në Luftën e Ftohtë. Përgjigja ime është: Jo, ende. Lufta e Ftohtë i bën të duken të vogla tensionet aktuale në numër trupash, anijesh dhe avionësh, ashtu sikurse edhe për nga niveli i gatishmërisë ushtarake për të kryer operacione globale dhe masive luftarake – përfshi edhe përgatitjen për sulme të mundshme bërthamore. Nuk jemi ende në atë pikë.

Por nëse nuk i ndalim veprimtaritë provokuese si ato të ndërmarra nga avioni rus javën e kaluar, herët a vonë do të kemi një rrëzim të tij dhe një përplasje shumë më të rrezikshme. Shtetet e Bashkuara, nga ana e tyre, duhet të jenë transparente lidhur me rreshtimet ushtarake përreth periferisë ruse dhe ta theksojnë se nuk do të ndërmerret asnjë ofensivë dhe ta bëjnë këtë nëpërmjet Këshillit NATO-Rusi.

Nuk është e nevojshme që të kthehemi te një Luftë e Ftohtë, por shmangja e saj kërkon vetëpërmbajtje, mirëkuptim dhe diplomaci, si nga ana e Moskës, ashtu edhe nga Uashingtoni. Si te “Goldfinger”, të dyja palët shohin kudo “veprime armiqësore” te veprimtaritë e tjetrit, çka krijon një potencial të rrezikshëm për keqllogaritjet. Mbi të gjitha, ne duhet të tregohemi të qartë me njëri-tjetrin dhe t’i ulim të dyja palët retorikën dhe manovrat akrobatike përpara se ato të kthehen në një përplasje ajrore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat