Gjermania: Reforma në Drejtësi të bëhet realitet

Bota

Gjermania: Reforma në Drejtësi të bëhet realitet

Më: 28 prill 2016 Në ora: 21:34

Ministri i Jashtëm gjerman Frank Steinmeier tha sot se “tani është momenti që Reforma në Drejtësi të bëhet realitet”. Gjatë një konference të përbashkët shtypi në Berlin me ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, shefi i diplomacisë gjermane theksoi se “ne e mbështesim këtë reformë me mundësitë që kemi dhe dua të shpreh qartësisht se reforma në drejtësi është një gur themel për rrugën drejt BE-së”. Ai vlerësoi procesin e reformës duke nënvizuar se “kur ndërmerren ndryshime në institucione, ka edhe kundërshtime nga vetë ato. Shpreh respekt për gatishmërinë që ekziston në Shqipëri për të tërhequr një ekspertizë sa me të gjerë ndërkombëtare, me qëllim që të kryhet një reformë sa më e gjerë e gjyqësorit. Këtë nuk e kemi parë gjithkund, e as nuk e kemi parë kudo në Ballkanin Perëndimor, prandaj besoj se ajo çfarë ju keni arritur përbën një model”, u shpreh Steinmeier.

Nga ana e tij ministri shqiptar Bushati ka vlerësuar rolin e vecantë të Gjermanisë në mbështetje të përparimit të rajonit të Ballkanit. “Është fakt që pavarësisht vështirësive me të cilat përballet kontinenti ynë dhe BE në këto kohë krizash, ne e kemi ndjerë nga afër mbështetjen nëpërmjet iniciativave gjermane, kryesisht me Procesin e Berlinit, si për sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, por dhe një ecuri pozitive sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe një ritëm më pozitiv në bashkëpunimin rajonal i demonstruar në Konferencën për Ballkanin Perëndimor në Berlin, në Vjenë dhe së shpejti në Paris”, u shpreh ministri Bushati.

Shefi i diplomacisë gjermane duke theksuar rolin e Shqipërisë në rajon, si “një partner i rëndësishëm edhe në kontekstin e stabilitetit për të gjithë Ballkanin Perëndimor”, shpjegoi gjatë konferencës së shtypit se gjatë bisedimeve ishte shprehur shqetësimi për zhvillimet në Maqedoni. “Diskutuam së bashku se çfarë mund të bëjmë që të evitojmë konfliktet e mëtejshme të dhunshme në Maqedoni”, duke shprehur keqardhjen për situatën “pavarësisht përpjekjeve intensive nga BE-ja dhe veçanërisht të Komisionerit Hahn, i cili është i angazhuar prej muajsh ditë e natë dhe është përpjekur në bisedime me palët në konflikt për të gjetur një zgjidhje dhe garantuar legjitimitetin e zgjedhjeve të ardhshme", nënvizoi ministri gjerman Steinmeier./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat