Kanada, ndërron jetë ish-kryebashkiaku Rob Ford, 46 vjeç

Bota

Kanada, ndërron jetë ish-kryebashkiaku Rob Ford, 46 vjeç

Më: 22 mars 2016 Në ora: 22:47

Ish-kryebashkiaku i Torontos në Kanada, Rob Ford ka ndërruar jetë në moshën 46-vjeçare pasi humbi betejën me kancerin. Lajmi është bërë i ditur nga familja e tij. Ford, i cili luftonte kundër varësisë nga droga dhe alkooli, u diagnostikua me një formë të rrallë tumori në vitin 2014.

Ai fitoi vëmendjen ndërkombëtare pasi pranoi se kishte konsumuar kokainë të pastër në vitin 2013, e megjithatë ishte tepër i admirueshëm prej mbështetësve të tij.

“Një person i dedikuar ndaj popullit, këshilltari Ford kaloi të gjithë jetën e tij në shërbim të qytetarëve të Torontos”, shkruan familja e tij në një deklaratë për mediat. Ai nuk mundi të rikandidonte në zgjedhjet e 2014-s për kryebashkiak për shkak të diagnozës së dhënë, megjithatë fitoi një vend si këshilltar.

Imazhi i tij binte në kontrast të thellë me qetësinë e zakonshme të politikës dhe politikanëve të Kanadasë.

Duke reaguar për vdekjen e tij, kryeministri kanadez, Justin Trudeau shkroi në Twitter:

“Rob Ford luftoi kundër kancerit me kurajo dhe vendosmëri. Ngushëllimet e mia dhe urimet më të mira për familjen Ford në këtë ditë të dhimbshme për ta”.

Kryebashkiaku aktual i Torontos, John Tory, përmes një deklarate bëri të ditur se “qyteti është tronditur me këtë lajm”. “Ai ishte një person që fliste pasi mendohej mirë dhe kandidoi për këtë post për shkak të bindjeve të palëkundura që kishte. E di që janë të shumtë ata që janë prekur nga natyra e tij tepër e shoqërueshme dhe nga qasja që pati ndaj shërbimit publik”.

Teksa shërbente si kryebashkiak i Torontos, Ford u kap me video dhe fotografi, ku shfaqej i intoksikuar në ambiente publike.

“Po, kam konsumuar kokainë të pastër - deklaroi atëherë Ford për reporterët. - Por a jam i varur? Jo! A e kam provuar ndonjëherë? Me shumë mundësi kur kam qenë ndonjëherë i dehur, ndoshta rreth një vit më parë”.

E pavarësisht skandalit të drogës, popullariteti i tij mbeti sërish i lartë, teksa fansat e tij kërkonin me kërshëri të bënin foto me të. Ai apelonte ndaj konservatorëve, si dhe shtresës punëtore të shoqërisë, me mesazhet e tij populiste. Shumë prej mbështetësve të tij në zgjedhjet e 2010-s për kryebashkiak vinin prej përiferive të qytetit.

Një prej premtimeve kyçe të fushatës së tij ishte “ndalimi i shpenzimeve të mëdha qeveritare” dhe u angazhua t’i jepte fund “lëvizjes me makinë”.

Gjatë zgjedhjeve parlamentare të Kanadasë të vitit të kaluar, Ford mbështeti ish-kryeministrin Stephen Harper, i cili siç dihet rezultoi humbës ndaj Justin Trudeau, një politikan liberal ky.

Harper, më herët gjatë ditës i dedikoi gjithashtu një mesazh në Twitter: “Rob ishte një luftëtar përgjatë të gjithë jetës së tij, si dhe një shërbëtor i dedikuar ndaj publikut, i cili do të mbahet mend për kurajon dhe për dashurinë ndaj Torontos dhe familjes së tij”.

Ford ka lënë pas bashkëshorten e tij Renata, si dhe dy fëmijë: Stephanie dhe Doug.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat