Burrështetasit evropianë lusin Britaninë të mbetet në BE

Bota

Burrështetasit evropianë lusin Britaninë të mbetet në BE

Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 19:25

Burrështetasit e vjetër, që kanë ndërtuar dhe formësuar Bashkimin Evropian, kanë një mesazh të qartë për Britaninë, e cila po përgatitet për një referendum për vazhdimin e anëtarësisë në BE ose jo: “Ne ju duam, mos na lini tani”.

Valery Giscard d'Estaing, babai i Sistemit Monetar Evropian, që ka qenë paraardhës i Eurozonës, ka thënë se pavarësisht shërbimit gjysmak të Britanisë ndaj Evropës, për kohë të gjatë, mbajtja e saj brenda ka qenë e dobishme.

“Shpresoj fuqishëm se ata do të qëndrojnë”, ka thënë në një intervistë për agjencinë Reuters ish-presidenti francez, i cili ka mbushur 90 vjet më 2 shkurt.

Giscard ka marrë detyrën e presidentit një vit pasi Britania i është bashkuar Komunitetit Ekonomik Evropian në vitin 1973.

“Britania ka një histori të lashtë dhe shumë të shkëlqyer, një traditë të vjetër dhe autentike demokratike, si dhe ekspertizë në tregtinë ndërkombëtare”, ka thënë Giscard.

Etienne Davignon, 83 vjeç, burrështetas belg dhe lider biznesi që ka shërbyer në Komisionin Evropian nën presidentin e vetëm britanik, Roy Jenkins, thotë se BE-ja mund të përshtasë strukturën e saj dhe t’i lejojë Eurozonës të integrohet tutje, duke mbajtur Britaninë në tregun e vetëm të BE-së.

“Kjo nuk është një çështje e pamundur. Kjo është një organizatë legale dhe është e mundur të organizohet”, ka thënë Davignon.

Këtë muaj, presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk, ka paraqitur një propozim-marrëveshje për reforma në BE, në përpjekje për të bindur Mbretërinë e Bashkuar që të mbetet brenda.

Propozimet përfshijnë “ndërprerje urgjente” të pagesave të përfitimeve për punëtorët migrantë të BE-së dhe mbrojtje për vendet që nuk përdorin monedhën euro, siç është Britania.

Anëtarët e BE-së do të debatojnë për këto propozime në një samit të BE-së në Bruksel, më 18 dhe 19 shkurt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat