Obama i kërkon Putinit të ndalojë sulmet kundër opozitës siriane

Bota

Obama i kërkon Putinit të ndalojë sulmet kundër opozitës siriane

Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 18:02

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka bërë thirrje homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të ndalojë sulmet ajrore kundër forcave opozitare të Sirisë, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë të dielën.

Në një bisedë telefonike me Putinin, Obama ka theksuar nevojën e shpërndarjes së shpejtë të ndihmave humanitare në zonat e rrethuara dhe të ndërprerjes së armiqësive në gjithë Sirinë.

“Në mënyrë të veçantë, presidenti Obama ka theksuar rëndësinë që Rusia të luajë një rol konstruktiv, duke ndalur sulmet ajrore kundër forcave të moderuara të opozitës në Siri”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Thirrja është bërë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe diplomatë të tjerë kanë arritur një marrëveshje më 12 shkurt, për përfundimin e luftimeve në Siri.

Marrëveshja është thënë se duhet të hyjë në fuqi brenda një jave.

Ajo përjashton sulmet ndaj caqeve të militantëve të Shtetit Islamik dhe Frontit al-Nusra, të cilat Rusia ka thënë se do të vazhdojë t’i godasë nga ajri.

Por, zyrtarët perëndimorë kanë thënë se sulmet ajrore ruse, deri më tash, kanë qëlluar edhe kundërshtarët e tjerë të qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad, të cilët mbështeten nga Perëndimi.

Obama dhe Putin kanë biseduar edhe për krizën në Ukrainë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat