Papa në Meksikë, turma në delir gjatë parakalimit

Bota

Papa në Meksikë, turma në delir gjatë parakalimit

Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 09:44

Pas takimit historik në Havanë me kreun e Kishës Ortodokse Ruse, patriarkun Kiril, Papa Françesku nisi ditën e parë të vizitës në Meksikë me një shëtitje të gjatë në makinën e tij personale, mes turmës gjigande të adhuruesve.

Predikimet plot mesazhe për politikanët e vendit dhe elitën kishtare janë pjesë e ditës së llogaritur të përmbyllet me një lutje të heshtur përpara virgjëreshës së Guadalupes, në faltoren më të madhe e të rëndësishme të Shën Mërisë nëpër botë.

Njerëzit shpërthyen në brohoritje kur makina papnore u shfaq në rrugët e kryeqytetit. Papa ndaloi befas të takonte të moshuarit, të sëmurët dhe grupin e personave me aftësi të kufizuara, që me zor prisnin ta shikonin.

Besimtarëve në karroca invalidësh, Françesku u shpërndau rruzarë, ndërsa një djali të vogël me maskë kirurgjikale në fytyrë ai i dhuroi një përqafim. Ndërsa lideri i 1.2 miliard katolikëve të botës kalonte pranë tyre, disa besimtarë shpërthyen në lotë.

Në ndalesën e tij disaditore, të mbushur me simbolizëm, Papa do të vizitojë disa prej qosheve më të varfëra e më të dhunshme të Meksikës.

Shpresat e popullsisë katolike të Meksikës, e dyta më e madhe në botë, janë që mesazhi i tij i paqes të jehojë fort anekënd vendit të rrënuar nga droga e përtej tij.

Me mijëra forca ushtarake dhe policore janë mobilizuar në kuadër të operacionit gjigand të sigurisë të organizuar për këtë vizitë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat