SHBA, kurset e trajnimit dhe tregu i punës

Bota

SHBA, kurset e trajnimit dhe tregu i punës

Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 09:21

Në përpjekje për të shtuar numrin e amerikanëve në tregun e punës, administrata e Presidentit Obama vitin e kaluar njoftoi dhënien e 175 milionë dollarëve në grante për programe të trajnimi dhe punësimi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Aru Pande vizitoi një qendër të tillë trajnimi në periferi të Uashingtonit, programi i së cilës ka tërhequr vëmendjen e vendit për përpjekjet e saj për t’i ndihmuar njerëzit që të gjejnë punë.

Në periferi të Uashingtonit, elektricistët e ardhshëm janë ulur rreth një tavoline në një kurs trajnimi në Lanham të Merilendit ku po mësojnë zanatin.

Studentja Denise Long thotë se aftësitë praktike, do ta ndihmojnë atë në vendin e saj të punës.

"Nëse i përdorim njohuritë që marrim këtu, ato do të na bëjnë punonjës të mirë. Ato do të rrisin edhe mundësitë tona për të mbajtur vendin e punës", thotë zonja Long.

22-vjeçarja nuk ishte e sigurt rreth profesionit që donte të zgjidhte. Por, ajo mori një ide nga përvoja e vëllait të saj më të madh, i cili bëri këtë kurs profesional dhe tani punon me orar të plotë si elektricist.//

Sindikata, The International Brotherhood of Electical Workers, drejton një program pesëvjeçar trajnimi falas, gjatë të cilit studentët përgatiten të punojnë si elektricistë apo punonjës telekomunikacioni. Ata shpenzojnë një ditë në dy javë në klasë dhe ditët e tjera i kalojnë në punë.

Çdokush mund të aplikojë për të marrë pjesë në këtë program, ku studentët e vitit të parë të cilët nuk kanë përvojë paguhen gati 20 dollarë në orë.

Kevin Burton, ndihmës drejtor i programit Joint Appreticeship and Training (JATC), thotë se çdo vit, deri në 200 të diplomuar hyjnë në tregun e punës, duke marrë një vend pune me sigurim shëndetësor, programe pensionimi dhe, më e rëndësishmja nga të gjitha, siguri në vendin e punës.

"Kolegji jo gjithmonë të garanton një vend pune", thotë Burton. "Mund të mbarosh kolegjin për një fushë studimi në të cilën më pas nuk do të punosh dhe do të kesh një stabilitet minimal. Këtu në 26 programet tona, ne i pajisim studentët me aftësi të cilat ata mund t'i përdorin në çdo pjesë të vendit", thotë ai.

Zgjerimi i kurseve

Zgjerimi i qasjes në programet e tilla të trajnimit të fuqisë punëtore ka qenë një iniciativë e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i cili në vitin 2010 e vizitoi qendrën e trajnimit në Lanham të Merilend.

Vitin e kaluar, administrata e Presidentit Obama njoftoi dhënien e afër 200 milionë dollarëve në grante për 46 partneritete publiko-private për të zgjeruar kurset profesionale si një mënyrë për zgjerimin e klasës së mesme amerikane.

Gjatë një fjalimi më 9 shtator të vitit 2014 në një kolegj dy vjeçar në Uaren të Miçiganit, Presidenti Obama njoftoi këtë investim të ri, duke vënë në dukje përfitimet nga kurset praktike të trajnimit.

"Ne duam tu japim punonjësve në të gjithë Amerikën të njëjtin shans për të marrë një përvojë praktike që të çon direkt në një vend të mirë pune. Paga mesatare e një punonjësi që mbaron këtë kursë tani është më shumë se 50 mijë dollarë në vit", tha presidenti.

Gjatë fjalimit të tij në kolegjin dy vjeçar, Macomb, Presidenti Obama vuri në dukje se në Britani numri i studentëve për kokë banori që ndjekin këto programe është 15 herë më i lartë se sa në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në Gjermani, 16 herë më i lartë. Mundësitë e tilla i bëjnë punonjësit amerikanë më konkurrues dhe u sjellin atyre një stabilitet më të madh financiar, tha presidenti Obama.

Studenti 26 vjeçar Paul Amancio, i cili shërbeu shtatë vjet në Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara, ofron këtë këshillë për veteranët e ushtrisë të cilët duan të hyjnë në tregun e punës.

“Mund të jetë e vështirë të bësh një punë që kërkon aftësitë që ti nuk i posedon. Nuk është e vështirë nëse ju përpiqeni dhe përqëndrohen në fitimin këtyre aftësive”, thotë ai.

Paul Amancio dhe praktikantët e tjerë në këtë qendër trajnimi po i përmirësojnë aftësitë e tyre praktike që ata shpresojnë se do t’u sigurojnë atyre një vend pune me orar të plotë dhe stabilitet financiar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat