Arabia S.: Assadi do të largohet edhe me forcë

Bota

Arabia S.: Assadi do të largohet edhe me forcë

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 19:10

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite ka thënë se nëse procesi politik në Siri dështon, presidenti sirian, Bashar al-Assad, do të largohet “me forcë” nga pushteti.

“Besoj se Bashar al-Assad është i dobët dhe besoj se Bashar al-Assad ka marrë fund”, ka thënë Adel al-Jubeir në një intervistë për televizionin CNN.

Arabia Saudite është e përgatitur që të kontribuojë me trupa tokësore në luftën e Sirisë, por vetëm si pjesë e koalicionit që udhëheqin Shtetet e Bashkuara, ka shtuar ai.

“Bashar al-Assad do të largohet, nuk kam dyshim për këtë. Ai do të largohet ose me proces politik, ose me forcë”.

“Do të përpiqemi sa më shumë që procesi politik të funksionojë. Por, nëse nuk bën punë, kjo do të ndodhë për shkak të regjimit kokëfortë të Sirisë dhe aleatëve të saj”, ka thënë ministri i Jashtëm saudit.

Procesi politik është vënë në dyshim sidomos muajve të fundit.

Bisedimet e ndërmjteësuara nga Kombet e Bashkuara për paqe midis Qeverisë dhe opozitës siriane, janë ndërprerë ditë më parë.

Të premten në Mynih, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kanë njoftuar se fuqitë kryesore në botë janë pajtuar për ndaljen e armiqësive në Siri dhe për zgjerimin e ndihmës humanitare te njerëzit e bllokuar nga konflikti.

Por, Lavrov ka thënë se Rusia do të vazhdojë operacionet kundër Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera terroriste.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat