Hooper: Marrëveshja për Sirinë, e dobët

Bota

Hooper: Marrëveshja për Sirinë, e dobët

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 16:14

“Një marrëveshje e dobët mbi Sirinë, për shkak të një qëndrimi të dobët të Shteteve të Bashkuara, shkon në dëm të Kosovës, si aleate e SHBA-së”, thotë James Hooper, drejtor menaxhues i Grupit Publik për Politika dhe të Drejtën Ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hooper, fuqitë e mëdha perëndimore janë pajtuar për ndaljen e armiqësive dhe për të ofruar ndihmë humanitare në Siri. Ju jeni i angazhuar në procesin negociator me opozitën e moderuar në Siri tash e sa kohë. A mund të na jepni vlerësimin tuaj për marrëveshjen e arritur?

James Hooper: Reagimi im i parë është se kjo është një marrëveshje e dobët, flet për ndaljen e armiqësive, të cilat do të fillojnë pas një jave dhe flet për ndihma humanitare në qytetet e bllokuara në Siri, rreth 20 prej tyre, të cilat gjenden nën shtetrrethim nga trupat qeveritare të Assadit.Këto qytete kanë dëshpërimisht nevojë për ushqim, për ndihmë humanitare dhe ilaçe.

Ka shqetësime serioze megjithatë, nga ana e atyre që ofrojnë këto ndihma humanitare, se kjo marrëveshje do të mund të çojë te më shumë vrasje brenda kësaj jave.

Me mbështetjen e fuqishme të Rusisë, forcat qeveritare të Assadit kanë arritur disa suksese në dy javëte kaluara dhe kjo e dobëson opozitën e moderuar. Nëse bisedat vazhdojnë më 25 shkurt, ashtu siç ka parashikuar ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara, De Mistura, atëherë opozita në këto bisedime vjen më e dobësuar seç ishte një javë më parë, për shkak të bombardimeve nga Rusia.

Pra, është një marrëveshje e dobët për opozitën, por e fuqishme për qeverinë dhe shkon në dobi të saj në fushëbetejë, pa parashikuar asnjë penallti për Rusinë dhe për Qeverinë e Assadit, të cilët shkaktuan kolapsin e procesit negociator të Gjenevës javën që shkoi.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hooper, Qeveria siriane nuk është përgjigjur ende; ju mendoni se ajo do ta përshëndesë marrëveshjen?

James Hooper: Ka shumë gjasë që Qeveria siriane ta përshëndesë arritjen e marrëveshjes, por pyetja është çfarë do të bëjë ajo në praktikë. Unë besoj se qeveria mbase do të jetë pjesërisht e angazhuar për ta zbatuar marrëveshjen, rëndom ka tendencë që publikisht të përshëndesë arritjen e diçkaje, dhe pastaj të zbatojë pjesërisht cilëndo marrëveshje që arrihet.

Rusia dhe Assadi kanë një qasje të njëjtë; me ta duhet negociuar dy herë. Fillimisht, ata duhet bindur të pajtohen me kushtet e një marrëveshjeje dhe pastaj duhet të negociosh sërish për t’i bindur që ta zbatojnë atë, për të cilën janë marrë vesh.

Pra, mendoj se marrëveshja shkon në dobi të tyre dhe nuk do të ndalë vrasjet. Është ndalje e armiqësive në gjithë vendin, ndonëse vështirë se do të zbatohet në gjithë vendin, dhe është ende e paqartë nëse luftëtarët nga radha e opozitës do ta pranojnë atë.

Radio Evropa e Lirë: “Ndalja e armiqësive” thuhet se do të përjashtojë veprimet kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik, kundër frontit Al-Nusrah dhe organizatave tjera të përcaktuara si terroriste nga Kombet e Bashkuara. Si do të funksionojë kjo në terren?

James Hooper: Rusia ka thënë se ndalja e armiqësive fillon pas një javë, dhe kanë thënë se do të vazhdojnë të sulmojnë dhe bombardojnë “terroristët”. Përcaktimi im i terrorizmit është Shteti Islamik dhe disa grupe të tjera

që rreshtohen me të, kurse përcaktimi i terrorizmit për Rusinë është i njëjtë me atë që ka Assadi dhe këtu përfshihen edhe grupet e moderuara, ato të cilat nuk e mbështesin fare IS-in. Dhe, janë pikërisht këto grupe, pothuajse të gjitha, të cilat Rusia është duke i sulmuar tash e sa kohë, që kur përshkallëzuan ndërhyrjet ajrore.

Rusia, pra, ka thënë se do të vazhdojë t’i sulmojë terroristët, që do të thotë se nuk ka asnjë zotim nga ana e Moskës, për të ndalur sulmet ndaj opozitës së moderuar.

Do të doja të shtoja edhe një gjë: kjo marrëveshje është e dobët, sepse Shtetet e Bashkuara janë të dobëta në veprimet e tyre për të ndalur vrasjet në Siri dhe për ta bërë të mundur arritjen e një marrëveshjeje serioze. Si përfundim, një marrëveshje e dobët mbi Sirinë, për shkak të një qëndrimi të dobët të Shteteve të Bashkuara, shkon në dëm të Kosovës, si aleate e SHBA-së.

Është marrëveshje që nuk shkon në favor të të gjithë aleatëve të Shteteve të Bashkuara në Evropën Lindore, pra një qëndrim i dobësuar i Shteteve të Bashkuara dhe një qëndrim më i fuqishëm i Rusisë, ka ndikime domosdoshmërisht edhe në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat