Turqia dhe Arabia S. mund të dërgojnë këmbësorinë në Siri

Bota

Turqia dhe Arabia S. mund të dërgojnë këmbësorinë në Siri

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 15:53

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se vendi i tij dhe Arabia Saudite mund të nisin operacione tokësore kundër grupit militant Shteti Islamik (IS) në Siri.

Siç raportojnë mediat turke, Cavusoglu ka thënë se Arabia Saudite “është gati të dërgojë aeroplanë dhe trupa” në bazën ajrore të Turqisë, Incirlik.

Arabia Saudite ka rifilluar pjesëmarrjen e saj në sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik, javëve të fundit. Ky veprim është mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara.

“Turqia dhe Arabia Saudite mund të nisin një operacion kundër Shtetit Islamik nga toka”, ka cituar gazeta pro-qeveritare turke Yeni Safak ministrin Cavusoglu.

Baza Incirlik është një qendër kryesore per operacionet e koalicionit që udhëheq SHBA-ja kundër Shtetit Islamik.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka përjashtuar dërgimin e këmbësorisë amerikane në Siri.

Arabia Saudite dhe Turqia konsiderojnë se largimi i presidentit sirian, Bashar al-Assad, nga pushteti është thelbësor për t’i dhënë fund luftës civile në Siri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat