Poroshenko: “Zoti Putin, ky është agresioni juaj”

Bota

Poroshenko: “Zoti Putin, ky është agresioni juaj”

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 13:57

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka kritikuar ashpër homologun e tij rus, Vladimir Putin, dhe ka thënë se siguria e Evropës dhe e botës janë në rrezik në Ukrainë.

Duke folur në konferencën e sigurisë në Mynih, Poroshenko i ka bërë thirrje Rusisë që të përmbushë detyrimet me Marrëveshjen e Minskut, e cila kërkon nga Rusia të tërheqë trupat e saj nga pjesa lindore e Ukrainës.

“Zoti Putin, nuk është luftë civile në Ukrainë, është agresioni yt, janë ushtarët tuaj që kanë hyrë në vendin tim”, ka thënë Poroshenko.

Mbi 9,000 luftëtarë dhe civilë janë vrarë në lindje të Ukrainës prejse ka nisur konflikti midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë në prill të vitit 2014.

Konflikti ka pasuar aneksimin e paligjshëm që i ka bërë Moska rajonit ukrainas të Krimesë.

Luftimet janë zvogëluar dukshëm qysh në shtator të vitit 2015, por disa pika të Marrëveshjes së Minskut për zgjidhje të konfliktit kanë mbetur pa u përmbushur.

Poroshenko ka thënë se Putin është duke kërcënuar Evropën dhe vlerat e saj.

Ai ka thënë se Evropa ka një “alternativë joliberale” dhe “emri i saj është Vladimir Putin”.

Putin nuk është duke ndjekur Konferencën e Sigurisë në Mynih, ndërsa kryeministri rus, Dmitry Medvedev ndodhet atje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat