Bota harroi konfliktin në Ukrainë, por atje ende ka luftë

Bota

Bota harroi konfliktin në Ukrainë, por atje ende ka luftë

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 07:40

Konflikti në Ukrainë është harruar nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa vëmendja është përqendruar në kriza më të mëdha si lufta në Siri apo fluksi i emigrantëve drejt Europës.

Beteja në Ukrainë tashmë është zhdukur nga faqet kryesore të mediave dhe duket sikur atje nuk po ndodh asgjë, por është plotësisht e kundërta. Ushtria ukrainase dhe rebelët pro-rusë janë në gjendje lufte dhe armëpushimi mes tyre ka mbetur vetëm në letër.

Mediat lokale raportojnë për përleshje sporadike në zonat e Luhanskit dhe Donetskut, por duket se edhe brenda Ukrainës vëmendja është përqendruar tek telashet ekonomike që nuk kanë të mbaruar.

Rusia e angazhuar seriozisht në konfliktin sirian duket se ka lënë pas dore disi rebelët e mbrojtur prej saj, por nuk i ka harruar fare. Stërvitja ushtarake e Moskës e zhvilluar në Krime, një territor i marrë me forcë nga Ukraina, tregon se Rusia është ende aty dhe nuk ka ndërmend që të tërhiqet, por vetëm sa ka shtyrë përballjen për shkak të angazhimeve më serioze.

Ndërkohë qytetarët e thjeshtë, qoftë në territoret e kontrolluara nga Ukraina, qoftë në ato të kontrolluara nga rebelët, përballen çdo ditë me rrezikun e luftimeve që siç ka ndodhur në të shkuarën mund të ashpërsohen në çdo moment.

Problemet ekonomike janë një tjetër shqetësim i përditshëm ne jetën e tyre, ndërsa shpresojnë që konflikti të zgjidhet sa më shpejtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat